Vlerësohet të jetë një ndër ngjarjet më të mëdha të teatrove në botë, dhe pikërisht në League of Profesional Thetare Women “LPTW”, në New York, ngjarje kjo që organizohet për çdo të tretin vit, në mesin e 20 femrave më të suksesshme anembanë rruzullit tokësor, është nominuar edhe aktorja kosovare Ilire Vinca.
E emocionuar për këtë nominim, që nënkupton që në të njëjtën kohë të jetë edhe finaliste e kësaj ngjarje kulturore, Ilire Vinca ka shpjeguar për KultPlus, për rëndësinë e këtij nominimi, pikërisht në 25-vjetorin e karrierës së saj prej aktoreje.
“Nuk e kisha menduar që puna ime do të mund të vlerësohej në këtë nivel, duke më radhitur në mesin e njëzet grave profesioniste të teatrit nga e gjithë bota”, ka thënë fillimisht Vinca, e cila planifikon që të jetë e pranishme në këtë ceremoni që do të mbahet më 23 tetor të këtij viti e ku janë nominuar femra të teatrove nga shtetet si Egjipti, Jordania, Tunizia, Anglia, Gjermania, Meksika, Australia, Rumania, Rusia… femra të cilat janë përzgjedhur në bazë të pesë kritereve nga organizatorët.
Dhe pikërisht duke kujtuar sfidat nëpër të cilat ka kaluar aktorja Vinca, ajo ndjehet e privilegjuar për këtë nominim, që e vlerëson si ogur të mirë për këtë fillimit.
“Në vende të vogla siç është Kosova të ushtrosh profesionin e artistit duhet të jesh i pajisur me kurajë dhe vizion, dhe të jesh gatuar me pasion. Gjatë punës sime dhe rrethanave të vështira nëpër të cilat kemi kaluar të gjithë, nuk kanë munguar asnjëra nga këto tipare. Kështu e quaj veten me fat që ëndrra dhe pasioni për të krijuar role e edukuar gjenerata të reja vazhdon, e madje rritet çdo ditë”, ka thënë Vinca,
Ajo ka shtuar se përtej kënaqësisë personale për këtë mirënjohje, është fakti që Kosova ka artistë të nivelit botërorë dhe çdo depërtim e mirënjohje përtej kufijve politikë e social, sipas saj, i mbajnë të mbërthyer, është sukses i shumëfishtë.
Vinca ka shpjeguar se ky nominim përfshinë edhe panelin e diskutimeve me 19 gratë tjera të nominuara, ku për pesë ditë të qëndrimit do të ketë edhe plane pune, diskutime, sikurse edhe ide për bashkëpunim në të ardhmen.