Një shkrim i gazetarit të njohur amerikan, Nicholas Kristof, i botuar në gazetën prestigjioze The New York Times nën titullin “Terroristët që sauditët po kultivojnë në shtetet paqësore” ku flitet për ndikimin e Arabisë Saudite në influencimin e islamit radikal në Ballkan, e veçanërisht në Kosovë, e ka irrituar hoxhën Husamedin Abazi, imam në Xhaminë “Hasan Beg” – 4 Llullat Në Prishtinë.
Hoxha është shprehur i indinjuar me shkrimin e botuar në NYT edhe për faktin se foto e ballinës së shkrimit ka qenë pikërisht Xhamia “Hasan Beg”, dhe sipas hoxhës përshkrimi i fotos është një gënjeshtër e kulluar.
“Unë si hoxhë i kësaj xhamie që nga viti 1996 bashkë me ju xhematë i respektuar jemi tejet të indinjuar së pari me nxjerrjen e fotografisë se xhamisë tonë në ballë të këtij shkrimi në NYT. Jemi edhe me të indinjuar (mos të themi të tmerruar) me shpifjet dhe gënjeshtrat e shkruara nën këtë fotografi tek NYT e ku thuhet: ‘Xhamia e katër Llullave në Prishtinë – e njohur edhe si Hasan Beg xhami – e ndërtuar me fonde nga Arabia Saudite. Kjo xhami ka reputacionin e të qenit një vatër e Islamit Radikal’”, shkruan Abazi në reagimin e tij.
“Tentimi që të ndërlidhet Xhamia jonë me Islamin Radikal jo vetëm se është e pavërtetë por është edhe blasfemi ndaj kësaj shtëpie ku adhurohet dhe madhërohet Zoti një”, ka thënë
Sipas imamit, është e kundërta e asaj që shkruhet ne New York Times, sepse, siç siguron ai, predikimet e tij ndjekin “Islamin Mesatar, praktikuar brenda Medhhebit-Shkollës Juridike Hanefite”.
Madje hoxhë Husamedin Abazi thotë se ai jo rrallë është kritikuar nga të tjerët si shumë i butë në ligjërime.
“Hoxha i juaj prej ndonjë radikalisti që mund të jetë në ndonjë skaj të Kosovës është i akuzuar si tepër liberal dhe i rafinuar”, shkruan ai.
Prandaj Abazi sfidon gazetarin amerikan – i cili është fitues i dyfishtë i çmimit më prestigjioz për gazetari ‘Pulitzer’ – që t’ia gjejë vetëm një rast kur në xhaminë “Hasan Beg” është ushqyer me ndonjë ligjëratë, apo në ndonjë formë tjetër, Islamin Radikal.
Kristof në shkrimin e tij në NYT argumenton se Sauditët kanë derdhur para të majme për të ushqyer vijën e fort të Vehabizimit në Kosovë, por Abazi e kundërshton këtë, duke treguar se ndihmuesi dhe ndërtuesi i xhamisë tek Katër Llullat është një personalitet i shquar dhe i respektuar në botën islame, Profesori Universitar, Dr. Abdullah Bosfor.
“E kisha ftuar NYT të informohet nga Ambasada e SHBA-ve në Riad dhe Xheda rreth personalitetit të Hoxhës Bosfor dhe ta kuptojnë se edhe ky Hoxhë në Xheda është prej Punonjësve të palodhur të Islamit Paqësorë dhe gjithashtu i akuzuar nga qarqe ekstreme si një Hoxhë tepër tolerant dhe i butë”.
Krejt në fund Abazi kërkon nga gazeta amerikane “të kërkojë falje nga Xhemati i Xhamisë Katër Llullat dhe nga Imami i saj për këto të pavërteta të botuara”.