×
  • Lajme
  • Lajme

    Inaugurohet busti i heroit kombëtar Hasan Prishtina në Tropojë

    Insajderi
    26 November 2024 - 14:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Fondacioni “Hasan Prishtina”, në bashkëpunim me Bashkinë Tropojë, kanë inauguruar bustin e Heroit Kombëtar Hasan Prishtina në Tropojë , ngjarje e cila organizohet në nderim të Ditës së Flamurit.

    Aty u tha se heroi kombëtar, Hasan Prishtina, ishte udhërrëfyes i gjeneratave ndër vite, duke filluar nga Ukshin Hoti e deri të ish-ushtarë të UÇK-së.

    Mehmet Prishtina, kryetar i Fondacionit “Hasan Prishtina”, tha se u realizua një qëllim i kamotshëm që të rikthehet pranë Bajram Currrit edhe figura e kolosit shqiptar, Hasan Prishtina.

    Ai tha se që të dy Curri dhe Prishtina luftuan derisa vdiqën për të njëjtën kauzë.

    “Sot është një ditë e bekuar sepse edhe moti po na përcjellë me diell sikur po na ngroh zemrat tona sepse arritëm që ta rikthejmë kolosin tonë, Heroin Kombëtar Hasan Prishtina, kryeministrin e tetë të Shqipërisë, një figurë e cila flet vet dhe jo rastësisht këtu krahas Heroit Bajram Currit, sepse ata jetuan, luftuan dhe derisa vdiqën së bashku për të njëjtën kauzë, për qëllimin e bashkimit të kombit shqiptar. Këtu ka qenë një ëndërr e kamotshme dhe një porosi e babait tim që mos të merrem me figurën e tij sepse ishim në luftë dhe vdiq dhe siç thoshte ai ‘unë jam i pashkollë’ por i kemi figurat që peshojnë rëndë në sallën e historisë, andaj të merresh me Hasan Prishtinën”, u shpreh Prishtina.

    Kryetari i Këshillit Bashkiak të Tropojës, Arber Çakraj ka thënë se Hasan Prishtina përfaqësoi lëvizjet kombëtare për liri dhe pavarësi, si dhe organizoi kryengritje shqiptare.

    “Hasan Prishtina është një nga ideologët kryesor të çlirimit dhe bashkimit të shqiptarëve. Vepra dhe tërë jeta e tij ka qenë të lidhura me fatin e kombit dhe atdheut. Rrugën e tij jetësore iu kishte përmbajtur motos ‘Kam mem shtrue vetëm vdekja’. Krejt ideja e tij jetësore, trimëria dhe temperamenti tipik i shqiptarit, jo vetëm luftëtar, ai përfaqësoi lëvizjet kombëtare për liri dhe pavarësi, si dhe organizoi kryengritje shqiptare”, u shpreh ai.

    Ndërsa, ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Arben Çejku, tha se asnjëherë nuk është ndjerë diplomat, por siç tha si në shtëpinë e tij.

    “Në fakt unë jam rrit duke mësuar për figurën e Hasan Prishtinës dhe për gjithë ata burra e familje, por fati e deshi që të punojë e zë bashkëpunojë me ta në Kosovë, si përfaqësues i Shqipërisë. Jam përpjekur të jem diplomat, por kurrë nuk kam mundur të jem i tillë dhe jam ndjerë si në shtëpinë time në gjithë shqiptarinë”, tha Çeku.

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, tha se Hasan Prishtina diti që t’i përfaqësojë gjitha trojet shqiptare edhe në Parlamentin turk.

    “Për Hasan Prishtinën kemi çka të flasim sepse rrugëtimi i tij ishte aq i gjatë e aq i mundimshëm sa vetë rrugëtimi i popullit shqiptar. Hasan Prishtina diti t’i përfaqësojë gjitha trojet shqiptare edhe në Parlamentin turk, ishte ideatori kryesor për të gjitha lëvizjet për bashkimin e kombit shqiptar”, tha Beqa.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark