MYNIH- Gjermania është përballur me sulme të rënda, sidomos ditët e fundit. Një episod i tillë u regjistrua këtë të enjte në Mynih.
Autoritetet konfirmuan se një person i armatosur u afrua pranë Qendrës së Dokumentacionit Nazist dhe afër konsullatës izraelite duke qëlluar në drejtim të efektivëve të policisë, që bënin roje para godinës.
Policia u kundërpërgjigj me zjarr dhe sipas informacioneve autori i sulmit ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.
Sulmi përkon me ceremoninë përkujtimore për 11 atletët izraelitë, të cilët u vranë nga terroristët palestinezë gjatë Lojërave Olimpike të Mynihut të vitit 1972.
Ministria e Jashtme e Izraelit konfirmoi se konsullata është mbyllur pas sulmit, ndërsa autoritetet gjermane e konsideruan ngjarjen një incident të rëndë. Ata shtuan se ruajtja e institucioneve izraelite është një “prioritet i lartë” për ta.