×
  • Lajme
  • Lajme

    Incidente gjatë festimeve në Shkup, digjen flamuri kuqezi dhe ai maqedonas, arrestohen 10 shqiptarë

    Insajderi
    29 November 2024 - 18:25
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Disa mijëra shqiptarë të Shkupit, kryesisht të rinj, me vetura të mbuluara me flamurin shqiptar festuan mbrëmë në rrugët kryesore të qytetit, me rastin e festës së flamurit shqiptar dhe më pas u mblodhën në lagjen shqipfolëse të Shkupit, ne Çair, ndërsa policia kishte mbyllur rrugët kryesore.

    Gjatë festimeve të shqiptarëve në Shkup me rastin e Ditës së Pavarësisë, janë regjistruar incidente, që kanë çuar në arrestimin e 10 personave.

    Mediat vendase raportojnë se të rinjtë shqiptarë, ndër të tjera, grisën dhe dogjën flamujt e Maqedonisë së Veriut në Çair dhe qëlluan me armë në ajër.

    Ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toskovski tha se dhjetë persona janë arrestuar për incidentet e mbrëmshme, pasi akuzohen për pjesëmarrje në përleshje me policinë dhe për nxitje të urrejtjes etnike, racore dhe fetare.

    Të arrestuarit janë të rinj dhe mes tyre ka edhe të mitur, ndërsa episodet e dhunës u dënuan nga të gjitha palët në Maqedoninë e Veriut.

    VMRO-DPMNE në pushtet theksoi se provokimi i incidenteve të mbrëmshme ka prapavijë politike dhe se qëllimi i nxitësve të tyre ishte që përmes çështjeve dhe ndarjeve etnike të imponohen në debatin publik, në mungesë të një propozimi bindës politik.

    Kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Christian Mickoski dënoi përdhosjen e flamurit kombëtar të vendit dhe theksoi se “qeveria do t’i përgjigjet fuqishëm të gjitha provokimeve dhe përpjekjeve për destabilizimin e vendit“.

    Ai tha se pret sfida të tilla edhe në të ardhmen dhe u bëri thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të qetë dhe të mos iu nënshtrohen provokimeve.

    Nga koalicioni “VLEN” i ftuan qytetarët të mos bien pre e provokimeve, siç i quajtën ata, dashakeqe kurse veprimet i quajtën të nxitura. Kreu i Kuvendit, Afrim Gashi bëri thirrje për respektim të ndërsjell të ndjenjave kombëtare.

    Duke i respektuar flamujt tonë mund të shfaqim ndjenja të patriotizmit por duke denigruar ose duke shkelur apo djegur flamuj të tjerë, kjo flet keq për secilin njeri që e bën një veprim të tillë. Unë jam kundër. Unë mendoj se secili njeri që e bën një veprim të tillë vepron në kundërshtim me interesat e këtij shteti dhe me interesat kombëtare qoftë shqiptare, qoftë maqedonase ose të komuniteteve tjera”, u shpreh Gashi.

    Sakaq, opozita dhe partia më e madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut, BDI e Ali Ahmetit, akuzoi policinë për përdorimin e forcës së tepruar. Kjo parti theksoi se ndërhyrja e policisë mbrëmë në Shkup shkaktoi tensione të panevojshme dhe krijoi një klimë konfrontimi, duke shkelur të drejtën e qytetarëve për të festuar lirshëm.

    BDI po ashtu ka kërkuar nga autoritetet që të zbardhin me shpejtësi edhe rastin e djegies së një flamuri shqiptar, që mbante mbishkrimin “Authoctonus”, që sipas tyre përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj simboleve dhe dinjitetit të popullit shqiptar.

    Shprehim shqetësimin tonë për qasjen selektive dhe të njëanshme të policisë, e cila, sipas informacioneve të deritanishme, ka marrë masa vetëm ndaj qytetarëve shqiptarë të përfshirë në incidentet, ndërsa ata që dogjën flamurin shqiptar nuk janë ndëshkuar. Ky trajtim i pabarabartë jo vetëm që minon besueshmërinë e institucioneve, por edhe thellon mosbesimin ndërmjet komuniteteve. Ligji duhet të zbatohet njësoj për të gjithë, pasi vetëm përmes drejtësisë dhe transparencës mund të forcojmë besimin dhe të ruajmë stabilitetin në shoqërinë tonë”, thuhet në reagimin e BDI-së.

    Edhe Aleanca për Shqiptarët e Zijadin Selës i ka bërë thirrje Ministrisë së Brendshme që të veprojë me urgjencë dhe ashtu siç veproi me zbulimin e autorëve të flamurit shtetëror, me të njëjtën urgjencë të veprojë edhe ndaj atyre që dogjën flamurin shqiptar.

    Nëse ky veprim do të mungojë atëherë do të sillet edhe një herë në pah se ligji dhe organet ligjzbatuese janë selektive në këtë shtet dhe se ato veprojnë vetëm kur duhet të ndëshkohen shqiptarët. Ju bëjmë thirrje edhe humbësve në Qeveri, koalicionit vlen, që të angazhohen një herë të vetme në favor të shqiptarëve, në mbrojtje të flamurit kombëtar dhe në sjelljen e drejtësisë dhe barazisë së qytetarëve në vend”, thuhet në reagimin e ASH-së së Selës. (A2 Televizion)

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark