
Më 19 qershor 2025, Instituti për Paqe dhe Ekonomi ka publikuar Indeksin Global të Paqes për vitin 2025, një raport gjithëpërfshirës që vlerëson nivelin e paqes në të gjitha shtetet e botës, përfshirë edhe Kosovën.
Raporti bazohet në 23 tregues cilësorë dhe sasiorë, të cilët matin gjendjen e paqes në tri fusha kryesore: sigurinë shoqërore, shkallën e konflikteve të vazhdueshme (të brendshme dhe ndërkombëtare), si dhe nivelin e militarizimit.
Në renditjen globale, Kosova ka pësuar një rënie prej tre pozicionesh dhe tani renditet në vendin e 63-të, duke u pozicionuar në mesin e tabelës.
Ajo ndan këtë grup me vende si Serbia, Zambia, Moldavia, Uzbekistani, Qipro, Senegali, Liberia, Jordania, Tanzania, Malaui, Franca, Paraguai, Nepali, Kirgistani, Taxhikistani, Republika Dominikane, Tunizia, Guinea Ekuatoriale dhe Bolivia.
Raporti ofron një pasqyrë të qartë të sfidave dhe përparimeve në ndërtimin e shoqërive më të sigurta dhe më paqësore në mbarë botën.
Tek pjesa e konfliktit të brendshëm dhe ndërkombëtar në vazhdimësi, Kosova është poentuar me 1.805 pikë. Sa i përket sigurisë sociale dhe sigurisë së brendshme, Kosova është poentuar me 2.144 pikë. Tek militarizimi, Kosova ka marrë 1.67 pikë.