Infermierët dhe stafi mbështetës i angazhuar në shëndetësi për luftën ndaj COVID-19 ka nisur protestën para objektit të Ministrisë së Shëndetësisë, për shkak të pakënaqësive për mosmarrjen e pagave për gati tre muaj.
“Ju të gjithë krenoheni për menaxhim të pandemisë, ne ishim arsyeja”, “Në vend të motivimit është zhgënjimi”, “Heronjtë e pandemisë të harruar nga Qeveria e Kosovës”, “Rrezikova veten dhe familjen time për të të shpëtuar familjen tënde dhe si u shpërbleva?”,“Në vend të vlerësimit është injorimi”.
Këto ishin disa nga pankartat që mbanin në duar stafi mbështetës i infermierëve të cilët ishin të angazhuar në kohën e pandemisë COVID-19.
Ata kanë paralajmëruar ikjen nga Kosova.
“Zoti Ministër na ktheni përgjigje deri në ora 16:00 se kemi kurs gjermanishtes në ora 17:00”, thuhet në një nga pankartat që kishin në dorë.
Ata kanë thënë se ka gati tre muaj që kjo kategori e infermierëve nuk kanë marrë pagë, dhe kjo sipas tyre, është papërgjegjësi e institucioneve të Kosovës.