Tashmë frika nga sulmet dhe kafshimi i qenve endacak është kthyer në temë diskutimi pothuajse në të gjithë vendin, kjo pasi turma të qenve po shihen në çdo rrugë e rrugicë të qyteteve të Kosovës. Jo më larg se të premten në shkollën e mesme “Fan Noli”, në Podujevë një qen ka arritur të hyjë brenda objektit shkollor duke sulmuar nxënësit.
Ndërsa, Komuna e Prishtinës këtë javë (të hënën) ka ndërmarrë disa veprime për trajtimin e qenve endacakë.
Me vendim të kryetarit, Përparim Rama, është nisur aksioni për largimin e këtyre kafshëve nga rruga dhe dërgimin e tyre në strehimore të licencuar nga Agjencia e veterinës dhe ushqimit, ku do të trajtohen si duhet dhe përgatiten më pas për adoptim.
Por, megjithëse Komuna e Prishtinës është në fazën fillestare të iniciativës për adoptimin e qenve endacakë, numër i madh i qytetarëve kanë shprehur interesim për adoptimin e tyre.
Këshilltari për siguri Bajram Gecaj për Telegrafin ka thënë se janë duke i bërë përgatitjet ligjore për iniciativën e ndërmarr për adoptimin e qenve nga qytetarët e vendit.
“Jemi duke i bërë përgatitjet ligjore dhe logjistike për iniciativën, siç janë aprovimi i vendimit në Asamble, përpilimi i kontratës së adoptimit, përgatitja e fushatës, përgatitja e një ueb-faqe ku mund të gjenden qentë për adoptim, e çështje tjera me interes rreth iniciativës.
Ideja jonë nuk është për dërgimin e qenve në strehimore, por për adoptimin e tyre. Nëse dikush dëshiron të adoptoje më shumë qenë, atëherë ata duhet të licencohen në AUVK për këtë, pasi që Kryeqytetit nuk licencon strehimore, por edhe nuk ka strehimore të veten”, tha Gecaj.
Por, siç tha ai është paraqitur një numër i madh i qytetarëve të interesuar për adoptimin e qenve. Gecaj tha se në momentin që do të jenë gati për fillimin e procesit do t’i kontaktojnë qytetarët e interesuar.
“Është paraqitur një numër i madh i qytetarëve, të cilëve u kemi marrë detajet kontaktuese dhe do t’i kontaktojmë sapo të jemi tërësisht gati për fillimin e procesit.
Interesimi është i kënaqshëm, edhe pse nuk kemi shifra të sakta, pasi që janë paraqitur shumë individë”, u shpreh Gecaj.