×
  • Lajme
  • Lajme

    Iniciohet shkarkimi i ministrit malazez për shkak të deklaratës për Srebrenicën

    Insajderi
    05 April 2021 - 14:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, propozoi shkarkimin e ministrit të Drejtësisë në këtë vend, Vlladimir Leposaviq, për shkak të qëndrimit të tij ndaj gjenocidit në Srebrenicë.

    Në një konferencë të jashtëzakonshme për gazetarë, Krivokapiq tha se e ka dërguar këtë propozim në Parlamentin e Malit të Zi.

    Gjatë një seance parlamentare më 26 mars, Leposaviq ka thënë se është i gatshëm të pranojë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid “kur një gjë e tillë të vërtetohet pa dyshime”.

    Me këtë deklaratë, ai ka sfiduar edhe legjitimitetin e Gjykatës së Hagës për ish-Jugosllavinë, e cila ka konstatuar se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid.

    “Pas deklaratës së diskutueshme i kam dërguar një mesazh, që ai duhet të nxirret vetë nga ajo që ka gatuar vetë. Kam menduar se deklarata e tij do të ishte e atillë që të amortizonte atë që është thënë, por ajo ka mbetur me prapavijën e njëjtë”, tha Krivokapiq, duke aluduar në deklaratën e dytë të Leposaviqit, që ka bërë tre ditë më vonë, duke shprehur të njëjtat pikëpamje.

    Deklarata e Leposaviqit ka nxitur reagime të shumta nga publiku vendas dhe ndërkombëtar, që ka kërkuar dorëheqjen e tij. Po ashtu ka pasur thirrje për reagim të prokurorisë.

    Kryeministri Krivokapiq tha se detyrim i Leposaviqit ka qenë që t’i përgjigjej pyetjes parlamentare rreth Srebrenicës në frymën e politikës së Qeverisë, e jo në frymën e debatit akademik.

    “I kam kërkuar dorëheqjen sepse është më mirë që me një akt personal, të tregojmë përgjegjësi. Këtë e kam bërë të premten edhe sot”, tha Krivokapiq.

    “Meqenëse Leposaviq ka mbajtur pozicionin e tij, unë kam propozuar shkarkimin e një anëtari të Qeverisë, në këtë rast të ministrit Leposaviq”, tha Krivokapiq, për të shtuar se është e papranueshme që ministri i Drejtësisë të shprehë pikëpamjet e tij private.

    Edhe Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që të mos relativizohet apo mohohet gjenocidi në Srebrenicë, duke thënë se zyrtarët në të gjitha shtetet që synojnë integrimin në BE, duhet të jenë të gatshëm t’i respektojnë vlerat evropiane, ndër të cilat është edhe trajtimi me respekt i viktimave të gjenocidit dhe krimeve të luftës.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark