Insistimi i Petrit Halilajt ndryshon një rregull të Bienales së Beogradit - Insajderi
×
Kulturë

Insistimi i Petrit Halilajt ndryshon një rregull të Bienales së Beogradit

Insajderi
29 July 2020 - 10:53
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Insistimi i artistit Petrit Halilaj që t’i njihej shtetësia e tij kosovare në Bienalen e Beogradit ka shtyrë organizatorët e kësaj ekspozite, konkretisht Qendrën Kulturore të Beogradit, t’i largojë të gjitha shtetet nga lista e artistëve pjesëmarrës.

Halilaj, me origjinë nga fshati Runik i Kosovës, njoftoi dje përmes një letre publike se është tërhequr nga Bienalja pasi organizatorët refuzuan ta prezantonin atë si artist nga Kosova.

Pa pjesëmarrjen e Halilajt, tash Bienalja planifikohet të hapet më 16 tetor, por me një rregull të ri: duke mos i prezantuar artistët pjesëmarrës sipas vendeve të origjinës. Lajmin e ka bërë të ditur të martën një zëdhënës i Qendrës Kulturore të Beogradit për mediumin ndërkombëtar Artnet News.

Në Bienalen e Beogradit, Halilaj kishte planifikuar të shfaqte një video të emëruar “Shkreptima”, e cila rezulton nga një performancë artistike që ai realizoi vitin e kaluar brenda rrënojave të Shtëpisë së Kulturës së fshatit Runik, e cila ishte shkatërruar gjatë luftës së fundit.

Organizatorët e Bienales së Beogradit fillimisht injoruan Kosovën në një dokument të lëshuar në maj. Pasi Halilaj kërkoi të shtohej Kosova si vend i tij i origjinës, organizatorët e prezantuan atë me një yll në fund, për të cilin Halilaj thotë se “ripërsërit refuzimin e Serbisë për ta njohur Kosovën shtet të pavarur”.

“Por ylli në emrin e Kosovës përmban implikime të forta politike. Fusnota është rezultat i një marrëveshje të vitit 2012 e cila i lejon Kosovës të përfaqësojë institucionet e saj pa prezantimin e Misionit të OKB-së (deri atëherë, Kosova ishte shkruar si Kosovë-UNMIK)”, shkruan Halilaj.

Rrëfimin më të zgjeruar mbi përvojën e Petrit Halilajt në Beinalen e Beogradit mund ta lexoni në këtë link:

Refuzimi i artistit kosovar qet në pikëpyetje politikën e Serbisë karshi Kosovës


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark