Rexhep Osmani është suspenduar të martën nga posti i profesorit në Universitetin e Prishtinës, por ai ka fituar një betejë në një tjetër universitet. Inspektorati ka kërkuar që ai tw rikthehet si profesor në një tjetër Universitet, atë të Prizrenit.
Përderisa në Prishtinë u suspendua pas akuzave për ngacmim seksual të një studenteje, në Prizren ai do të rikthehet si profesor përkundër ankesës për angazhim në këtë universitet që lidhet me moshën e tij.
Inspektorët e arsimit, Rexhep Jakupi, Mejreme Nevzati dhe Besim Luftiu, në një procesverbal të siguruar nga Insajderi, kanë kërkuar nga Universiteti i Prizrenit “Haxhi Zeka” që ta “ri-angazhojë në procesin e mësimdhënies akademike”, Rexhep Osmanin, pasi sipas tyre, vendimi i Ministrisë së Arsimit, i marrë me 26 tetor 2015 “nuk ka të bëjë me kurrfarë pezullimi të mundshëm të stafit akademik mbi moshën 65 vjeç nga ndonjë institucion i arsimit të lartë”.
Sipas procesverbalit të Inspektoratit të mbajtur me 29 mars, 5 dhe 18 prill 2016, statuti i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, mundëson angazhimin e mësimdhënësve në procesi mësimor mbi moshën 65 vjeç” dhe se në këtë moshë ligjërojnë edhe tre profesorë të tjerë.
“Prof. Ass. Dr. Rexhep Osmanin në procesin e mësimdhënies akademike, ti jepen orës e pambuluara me kontratë pune, në semestrin veror 2016…”, thuhet në këtë vendim të Inspektoratit të Arsimit në Prizren.
Ky vendim është marrë me 20 maj 2016, pikërisht në ditët kur Osmani ishte akuzuar në Universitetin e Prishtinës, për ngacmim seksual.
Osmani, pati mohuar të ketë ngacmuar seksualisht studenten, ashtu siç ishte raportuar, por ai ka pranuar se e ka përqafuar studenten ne fjalë dhe kjo sipas tij është keqkuptuar nga ana e saj.
Ai kishte thënë se përqafimin ndaj studentes e ka bërë meqë ka pasur lidhje familjare me të.
“Ka qenë një keqkuptim dhe s’ka pasur asgjë tjetër. Ajo që e ka keqkuptuar ka lajmëruar policinë në prill edhe kam shkuar në polici, e kam dhanë deklaratën. Çdo gjë do të jetë okej sepse prindërit kur kem biseduar [me ta] i kam sqaruar se kjo më ka thënë që i ka do të njohshëm, kushërira të mija, dhe unë jam sjellë normalisht me të”, kishte thënë Osmani. /Insajderi.com