Inspektorati Farmaceutik i ka ndalur veprimtarinë kompanisë farmaceutike “Cfo Pharma”, që është në pronësi të Nadir Çaushollit, e cila kryente disa teste të vitaminave, yndyrës në gjak dhe sheqerit nëpër barnatore private.
Matje e vitaminave, yndyrnave dhe sheqerit në gjak, ishte një veprimtari që e zhvillonte kompania “CFO Pharma” nëpër barnatore në tërë territorin e Kosovës, shkruan Gazeta Shneta.
Përmes kësaj veprimtarie kompania synonte të shiste produktet e saj më lehtë tek qytetarët. Por siç duket kjo veprimtari është ushtruar pa licencë nga Ministria e Shëndetësisë, pasi e njëjta është stopuar nga Inspektorati Farmaceutik.
Nadir Çausholli pas hekurave
Kush është Nadir Çausholli
Nadir Çausholli është një personazh tepër i njohur për prokurorinë dhe policinë për shkak se i viziton shpesh zyrat e tyre sepse rezulton i paditur dhe dënuar për mashtrime.
Emri i tij bëri bujë në vitin 2015 ku pas një hetimi disa mujor prokuroria zbuloi skandalin e mashtrimit me recetat false për barnat e rimbursueshëm, specifikisht për ilaçin “ketosteril”, përmes të cilit iu zhvatën shtetin shqiptar 2 milion euro.
Në qendër të mashtrimit ishte kompania “Omega Pharma” në pronësi të Nadir Çaushollit.
Në fillim të vitit 2016, gjykata e gjeti fajtor Çaushollin për veprat penale “mashtrim” dhe “falsifikim dokumentesh” duke i dhënë 5 burg. Por, për shkak se ai pranoi gjykimin e shkurtuar duke pranuar rrjedhimisht edhe mashtrimin e kryer, gjykata i uli 1/3 të dënimit, i cili më pas u konvertua në shërbim prove.
Çausholli doli nga qelia në tetor të vitit 2016 dhe tashmë me “lëkurë” të re, duke i ndërruar emrin kompanisë nga “Omega Pharma” në “CFO Pharma” vijoi të kishte marrëveshje me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor duke përfituar miliona nga paratë e shqiptarëve edhe pse gjykata më herët ia kishte hequr të drejtën kompanisë “Omega Pharma” për të realizuar marrëveshje të tilla.