Instagram po teston një dizajn minimalist. Aplikacioni për postimin e fotove dhe videove, në pronësi të Facebook që prej 2012, po sheh një version të ri.
Ky version për iPhone dhe telefonët Android do të jetë një stil pothuajse ‘bardh e e zi’. Sipas Mashable, disa përdorues kanë vënë re këto ndryshime në aplikacion ku ikonat shfaqen më të zbehta, lineare dhe pak të ngjyrosura.
Për shembull, do të ndryshojë ikona e fotokamerës, që nga një katror me një rreth brenda do të jetë një aparat fotografik, dhe njoftimet do të jenë me një zemër më të stiluar. Rritet edhe përdorimi i hapësirave të bardha.
“Shpesh provojmë eksperienca të reja në një përqindje të vogël të komunitetit global. Dhe ky është vetëm një test dizajni”, thotë për Mashable, një zëdhënës. Megjithatë, ende nuk ka një njoftim zyrtar. Aktualisht ky aplikacion ka 400 milionë përdorues aktivë në muaj.