Në Kosovë afërsisht një e treta e popullsisë së aftë për punë nuk ka një vend pune sipas statistikave zyrtare, edhe përkundër kësaj shumë kompani e institucione po ankohen se nuk po mund të gjejnë punëtorë. Mungesa e punëtorëve ka prekur edhe institucionet e shtetit, shkruan Gazeta Insajderi.
Që nga fillimi i muajit gusht pesë ministri e disa institucione publike kanë shpallur konkurse për vende të lira të punës.
Vetëm ministria e Ministria e Punëve të Brendshme ka hapur një konkurs për 50 vende të lira në pozitën ‘Zyrtar administrativ’, ku mes tjerash kërkohet vetëm diploma e shkollës së mesme dhe shkathtësitë kompjuterike në aplikacione të programeve (Word, Excel, Power Point).
Për këtë pozitë e cila paguhet 423.85 Euro bruto nuk kërkohet përvojë paraprake e punës.
Ndërsa, ditë më parë edhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka hapur thirrje për angazhimin e pesë praktikantëve.
Thirrja është e hapur nga data 10 deri më 16 gusht 2022.
Sipas njoftimit të Ministrisë, kriteret për aplikim janë mosha deri në 29 vjeç, diploma bachelor ose master dhe nota mesatare mbi 7.0.
Kurse, Ministria e Drejtësisë e drejtuar nga Albulena Haxhiu ka hapur konkurs vetëm për një vend pune, atë të vozitësit.
Kriteret në këtë konkurs janë Shkolla e mesme; Patentë shoferi valit për kategorinë B; Njohuri të mira të punës në mirëmbajtjen e veturave; 2 (dy) vite përvojë pune, njohja e mirë e gjuhëve në përdorim zyrtar në Republikën e Kosovës; Të mos jetë i/e dënuar për ndonjë vepër penale qe dënohet me burgim mbi 6 (gjashte) muaj.
Ndërsa, ministria e Kulturës që drejtohet nga Hajrullah Çeku kërkon pesë punëtor për këto pozita: dramaturg, mjeshtër ndriçimi, rrobaqepës dhe udhëheqës tekniko-artistik.
Ndërkaq, një ditë më parë Ministria e Shëndetësisë ka shpallur konkurs për një vend pune. Pozita që mund të aplikojnë qytetaret është psikolog, dhe hyn në kuadër të departamentit Shëndetësor të Burgjeve.
Përveç, ministrive edhe institucionet tjera publike janë në kërkim të punëtorëve të kualifikuar.
Policia e Kosovës, ka shpallur sot një konkurs për infermier të përgjithshëm. Ky institucion po kërkon katër infermier për rajone të ndryshme, si në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë e Jugut dhe Gjakovë.
Përveç policisë, edhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka nevojë për 12 punëtorë. Ky departament po kërkon pesë infermierë në Stomatologji, dy kirurg Oral dhe Pedodont, tre teknikë të dhëmbëve, një teknik të rentgenit dhe një mirëmbajtëse të higjienës.
Në hall për punëtor janë edhe gjysma e komunave të Kosovës. Në një konkurs të Podujevës, për punëtorë në fusha të ndryshme, ndodhi që të mos aplikojë asnjë person.
Kështu komuna e Podujevës ka bërë të ditur se për këto pozita do të ketë ri-shpallje të konkurseve.
“Rishpallja e konkurseve do të bëhet brenda afateve ligjore, në portalin e konkurseve dhe webfaqen e komunës”, thuhet në njoftim.
Shkalla e papunësisë në Kosovë
Sipas Agjencisë së Statistikave (ASK), papunësia në Kosovë është mbi 20 për qind.
Të dhënat e fundit të ASK-së për tregun e punës tregojnë se janë mbi 1.2 milion qytetarë në moshë pune në Kosovë, mbi 360 mijë janë të punësuar, ndërsa mbi 95 mijë janë të papunë.
Shqetësuese vazhdon të mbetet numri i qytetarëve joaktivë në tregun e punës.
Sipas ASK-së, mbi 760 mijë qytetarë janë ekonomikisht joaktivë, që do të thotë se nuk janë të punësuar, as të regjistruar si të papunë dhe as nuk kërkojnë punë.
Kompanitë mund të përballen me mungesë të punëtorëve, ndonse papunësia është një nga problemet më të mëdha që e përcjell shoqërinë kosovare me vite./GazetaInsajderi/