Instituti Albanologjik i Prishtinës, gjegjësisht Dega e Etnologjisë, organizon takimin shkencor me antropologen austriake, Carolin Leutloff-Grandits.
Ky aktivitet do të mbahet të enjten, 18 korrik, 2024, ora 13:00, në sallën e konferencave, kati III, Instituti Albanologjik, dhe do të drejtohet nga etnologia kosovare, Dr. Lumnije Kadriu.
Në kuadër të këtij aktiviteti do të prezantohet libri i antropologes Carolin Leutloff-Grandits, me titull “Translocal Care Across Kosovo’s Borders. Reconfiguring Kinship Along Gender and Generational Lines”.
Iu mirëpresim!
Biografi e shkurtër:
Carolin Leutloff-Grandits, Dr. habil. phil., është antropologe sociale dhe studiuese e lartë në qendrën ndërdisiplinore Viadrina Center B/ORDERS IN MOTION në Universitetin Evropian Viadrina. Ajo gradën e saj të doktoratës e mori nga Universiteti Martin-Luther në Halle (Saale) dhe studimete post-doktoratës i kreu (Venia legendi) në antropologji sociale në Universitetin e Vjenës. Hulumtimi i saj përqendrohet në migrimin dhe kufijtë, duke e ndërlidhur atë me fushat e sigurisë sociale dhe të kujdesit për familjen, si dhe nëndërmarrësi. Ajo është veçanërisht e preokupuar me vendet e ish-Jugosllavisë dhe Gjermaninë, përfshirë këtu ish-rajonin kufitar brenda për brenda-gjerman.
Përveç monografisë së saj me titull “Translocal Care Across Kosovo’s Borders. Reconfiguring Kinship Along Gender and Generational Lines [Kujdesi ndër-lokal përtej kufijve të Kosovës. Rikonfigurimi i farefisnisë përgjatë vijave gjinore dhe të breznive]” (Berghahn 2023), ajo ka botuar edhe “Claiming Ownership in Postwar Croatia. The Dynamics of Property Relations and Ethnic Conflict in the Knin Region” (Lit 2007). Kohëve të fundit ajo ishte redaktore e rubrikës së veçantë “The Balkans as “Double Transit Space”: Boundary Demarcations and Boundary Transgressions Between Local Inhabitants and “Transit Migrants” in the Shadow of the EU Border Regime” në revistën për studime të zonave kufitare –Journal for Borderlands Studies (2023), ndërkaq ishte bashkë-redaktore e antologjisë me titull “Border Complexities and Logics of Dis/Order”. Volume 1, (së bashku me Christian Wille, Falk Bretschneider, Sylvie Grimm-Hamen, Hedwig Wagner), Baden-Baden: NOMOS (2024).
Aktualisht, ajo është duke punuar në një projekt kërkimor-hulumtues, të financuar nga Leibniz mbi ndërmarrësit e diasporës dhe ndërlidhjen e migrimit dhe zhvillimit në Kosovë.