Intensifikohen “sulmet” nga distanca të Izraelit ndaj Amerikës - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Intensifikohen “sulmet” nga distanca të Izraelit ndaj Amerikës

    Insajderi
    28 December 2016 - 21:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të mos ushtrojnë të drejtën e vetos ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që bënte thirrje për t’i dhënë fund ndërtimit të blloqeve të banimit në kolonitë izraelite, ka përkeqësuar marrëdhëniet mes Amerikës dhe Izraelit.

    Kështu, zyrtarë të lartë të të dy vendeve kanë kritikuar njëri-tjetrin nga larg përmes deklaratave publike.

    Së fundi, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka denoncuar fjalimin në Lindjen e Mesme të Sekretarit të Shtetit John Kerry si të “njëanshëm” kundër Izraelit.

    Në një deklaratë në gjuhën angleze të lëshuar nga Qeveria e Izraelit, Netanyahu ka thënë Kerry është marrë sërish “në mënyrë obsesive” me ndërtimet e blloqeve.

    “Sikurse  për Rezolutën e Këshillit të Sigurimit që Sekretari Kerry e ka avancuar në OKB, fjala e tij sonte anon kundër Izraelit”, raporton The Independent.

    Ditë më parë, Izraeli akuzoi ShBA-të se ata kanë ndihmuar në hartimin e draftit të rezolutës, e më pas kishin “tentuar fuqishëm” që ajo të miratohej.

    Kjo nuk është hera e parë që marrëdhëniet mes dy vendeve përjetojnë krizë por kësaj herë deklaratat publike nuk janë kursyer në drejtim të njëri-tjetrit.

    Në anën tjetër, Sekretari Kerry, gjatë një fjalimi të tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ka thënë se “Izraeli mund të jetë hebraik ose demokratik, por jo të dyja bashkë” dhe se “satus quo-ja nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do të çojë në pushtim të përhershëm”

    “Asnjë administratë amerikane nuk ka bërë më shumë për sigurinë e Izraelit sesa ajo e Barack Obamës” ka shtuar tutje Kerry gjatë fjalimit të tij.

    Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se akuzat janë “thjesht të pavërteta”, por shtoi se shpresonte që rezoluta të mund të “shërbente si një thirrje zgjimi” për Izraelin.

    Por, presidenti i zgjedhur, Donald Trump, ka thënë se Izraeli është trajtuar me “përbuzje dhe pa respekt”, gjë që sipas tij duhet të marrë fund./Insajderi.com

     

     


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark