
Tashmë është bërë e qartë nga Interi se Kristjan Asllani do të largohet nga klubi gjatë këtij afati kalimtar veror.
Ai ka qenë pjesë e ‘Nerazzurrëve’ për tre vite, por me dështimin e transferimit të Hakan Calhanoglu te Galatasaray, pritet që mesfushori shqiptar të kalojë në një klub të ri.
Fiorentina është një nga klubet që ka shfaqur interes për të, por vlera aktuale që Inter i ka vendosur lojtarit, që shkon nga 18 deri në 20 milionë euro, është më e lartë sesa ajo që Fiorentina mund të ofrojë për momentin, sipas TuttoMercatoWeb.
‘La Viola’ po ndjek edhe alternativa të tjera përveç Asllanit.
Një nga emrat që ka dalë këto ditë është Franck Kessie, por është e pamundur që Fiorentina t’i ofrojë një pagë të afërt me atë që ai përfiton aktualisht te Al Ahli në Ligën Saudite.
Hugo Larsson është një tjetër mesfushor që klubi po vëzhgon, por Eintracht Frankfurt pritet të kërkojë 25–30 milionë euro për suedezin.
Kristjan Asllani është i lidhur me Interin me kontratë deri në vitin 2028. Mesfushori shqiptar iu bashkua klubit nga Empoli në vitin 2023, në një marrëveshje me vlerë rreth 15.7 milionë euro.
Gjatë sezonit të fundit, ai u aktivizua në 39 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke kontribuar me tre gola dhe tre asistime.