Deputeti shqiptar i parlamentit suedez, Adnan Dibrani i cili me prejardhje është nga Kushtova e Mitrovicës, për herën e katërt me radhë ka fituar një ulëse atje. Duke qenë për 12 vite i inkuadruar në politikë Dibrani ka rrëfyer sfidat, raportet me politikanët kosovar dhe ka dhënë këshilla për ministren e punëve të jashtme dhe diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.
Në vitet 1989-90, sikurse shumë shqiptarë të tjerë familja e deputetit kosovar mori rrugën për të vazhduar një jetë më të sigurt në Suedi.
Shkollimin e mesëm Dibrani e zhvilloi në një shkollë teknike, duke vazhduar më pas me studimet e larta në drejtimin ekonomik.
Në një intervistë për Insajderin, Dibrani ka shpalosur detaje nga angazhimi i tij në Komitetin Europian por, gjithashtu edhe dallimet mes shqiptarëve dhe suedezëve.
Intervista e plotë:
Insajderi: Si ka ardh ideja e angazhimit politik, fillesat e para?
Dibrani: Unë fillimisht jam angazhuar në forume rinore në shkolla, ndoshta shkaku i situatës politike në Kosovë, kjo ka qenë si arsye që më ka shtyer më shumë në këtë spektër. Kjo është hera e katërt me mandat në parlament. Pra nëse e llogarisim gjithsej, janë diku 12 vite nga ku merrem me politikë.
Insajderi: Edhe këtë vit ju fituat një ulëse në parlamentin e Suedisë, a mund të na flisni për vlerat që partia uaj përfaqëson?
Dibrani: Barazia, dhe të drejtat njerëzore, pra partia ku unë jam i inkuadruar është parti social demokrate, ne mundohemi të bëjmë një barazi për të gjithë pasi partia është e formuar nga punëtoret. Ne nisemi me idenë e krijmit të rrethanave që askush nuk e vendos në cfarë pozite mund të jetë duke u varur nga ajo se kë e ka baba ose nënë, mundohemi të bëjmë thirrje për barazi tek të gjithë qytetarët pa dallime.
Insajderi: Cilat janë pikat më të forta të partisë ku ju krijuat besimin për të përfaqësuar qytetarët edhe për 4 vite të tjera?
Dibrani: Shkaku qe është parti e punëtoreve, domethënë r formuar nga ata, për të drejtat e tyre andaj edhe e ka forcën te punëtoret, aty është themeli. Ndoshta të njëjtit nuk kanë pasur mundësi t’i ndihmojnë fëmijëve të tyre dikur, ose vet si fëmijë janë ndjer ndryshe dhe jo të barabartë andaj është krijuar për të drejtat e punëtoreve, shkollimi mjekësia e mirë pastaj mund të jenë me shërbime të duhura.
Insajderi: Cilat janë prioritetet tuaja, në cilën fushë do të angazhoheni më shumë?
Dibrani: Pasi studimet e mija janë rreth degës së ekonomisë, mendoj të fokusohem më shumë në këtë pjesë, duke e pa edhe inflacionin normalisht që duhet angazhim serioz. Gjithashtu prioriteti tjetër është angazhimi në Këshillin Europian, do të punoj për Kosovën, për anëtarësimin e Kosovës madje jam duke punuar me Gjermaninë, Anglinë dhe Skandinavinë veçse unë nuk preferoj t’i bëjë publike gjithë punët që mund të kem rezultat. Shpejt do të takohemi me Edi Ramën, te shohim çfarë mund të bëjmë për raportin e Dick Martyt.
Insajderi: Cili është mendimi juaj rreth angazhimit të Kosovës në fushën e diplomacisë nga ministrja Gërvalla tek ambasadorët?
Dibrani: Këta që i takoj të Kosovës dhe Shqipërisë në ambasada të ndryshme bëjnë punë të mirë, i takoj madje rri me ta, unë i shoh si puntorë. E shohim në vazhdim me rezultatet, kurse tek ministrja, mund të them se mirë është me e dëgju tjetër kënd, nuk bëhet nami nëse na pyet edhe neve pak, nuk na kushton asgjë.
Insajderi: A jeni kontaktuar nga politikanët kosovarë gjatë kandidimit tuaj apo edhe pas përzgjedhjes, si janë raportet tuaja me ta?
Dibrani: Po, shumica me kane kontaktuar, kam qenë dhe vazhdoj të jem neutral në politikën kosovare, mundohem të jem konfidencial në bisedimet që i kam me ta, kam pas kontakt me krejt edhe ata në Hagë krejt kohen madje, me përkrahin të gjithë, i ndihmojmë njëri-tjetrit pasi edhe ata kur vinë në Suedi e kanë një derë të hapur gjithmonë.
Insajderi: A ka qenë e vështirë të integroheni në partinë tuaj, a ka qenë prejardhja problem ndonjëherë?
Dibrani: Në Suedi nuk më kanë dalluar me të tjerë, sipas tyre jam suedez me prejardhje prej Kosovës, për 12 vite nuk më kan bo dallime, tjetër është që bagazhi im është si shqiptarë.
Kujtojmë se bashkë me Dibranin, një ulëse tjetër në parlamentin e Suedisë u rezervua nga deputetja me prejardhje kosovare, Aida Birinxhiku.