×
  • Lajme
  • Analiza

    INTERVISTË| Genc Nimoni: Verifikimi dhe konfiskimi i pasurisë, goditja më e madhe që mund t`i jepet keqpërdorimit të pozitave e parasë publike

    Insajderi
    17 September 2022 - 12:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Genc Nimoni, Shef i Kabinetit dhe Këshilltarë i Lartë i Minsitres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një intervistë për Gazetën Insajderi, ka folur për temën më të “nxehtë”, në Ministrinë e Drejtësisë që ka nxitur reagime të ashpra – atë të themelimit të Byros për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së zyrtarëve dhe Vetting-un.

    “Verifikimi dhe konfiskimi i pasurisë është goditja më e madhe e cila mund t’i jepet keqpërdorimit me pozitat publike dhe keqmenaxhimit me paranë publike”, tha Nimoni.

    Ai theksoi se subjekt të verifikimit e konfiskimit do të jenë zyrtarët publik shtetëror të cilët kanë pasur apo kanë pozita publike.

    Nimoni, ka folur edhe për projektligjin e  fundit që u procedua në qeveri nga kjo ministri –  ai për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

    Tha se me këtë Projektligji për herë të parë, vendi  do të ketë institut të rregulluar me Ligj për Krime të Luftës.

    “Rëndësia e tij është në faktin se Instituti do të bëjë hulumtimin dhe dokumentimin e shkeljeve të rënda të drejtave të njeriut, krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit, si dhe akteve të gjenocidit të kryera nga 1 janari i vitit 1998 deri me 20 qershor të vitit 1999, dhe jo vetëm”, tha ai.

    Nimoni, në intervistën e gjatë për Gazetën Insajderi, duke folur për punën në Ministrinë e Drejtësisë gjatë 17 muajve, tha se gjatë kësaj periudhe, plotë 46 dokumente ligjore janë finalizuar dhe aprovuar në Qeveri.

    Ai ka folur edhe për vettingun, noterët, marrëveshjen me Danimarkën për burgjet, takimin me të akuzuarit nga specialja, e strategjinë për mbrojtjen e vajzave dhe grave nga dhuna.

    Genc Nimoni, pas përfundimit të studimeve në Amerikë për Sundimin e Ligjit dhe Qeverisjen e Mirë, u kthye për të kontribuar në Kosovë. Thotë se nevojat e shoqërisë sonë në fuqizim të sundimit të ligjit dhe rritjes së standardit për një qeverisje më kualitative, përputhen me studimet dhe përvojën e tij.

    Për dallim nga puna si pjestarë i shoqërisë civile, që shërbeu për disa vite, në pozitën e Shefit të Kabinetit dhe Këshilltarit të Ministres së Drejtësisë, thotë se natyra e punës duket më dinamike.

    “Është ndjesi fantastike të jesh në shërbim të Shtetit dhe qytetarëve, përkundër sfidave të panumërta që na shoqërojnë çdo ditë”.

    Sfidën më të madhe me të marrë këtë pozitë Nimoni thotë, se e kishin me mungesa e kapaciteteve profesionale të stafit civil dhe me disa zyre të administratës, që sipas tij ishin të mbushura me militantë politik të qeverisjeve të kaluara.

    “Edhe pse do të duhej të ishin shërbyes civil dhe krejt të pavarur politikisht”, tha ai.

    Intervista e plotë me Genc Nimonin

    Insajderi- Si e gjetët Ministrinë e Drejtësisë, në mars të vitit 2021, atëherë kur edhe e morët mandatin?

    Genc Nimoni: Sektori i Drejtësisë është një nga sektorët me problematik, marrë parasysh natyrën e tij. Kemi hasur në probleme të ndryshme, qoftë nga aspekti i organizimit të brendshëm të Ministrisë së Drejtësisë, qoftë nga aspekti i realizimit të mandatit të MD-së nëpërmes hartimit të politikave. Marrë parasysh problemet e tilla, më të marrë mandatin, ne kemi filluar një proces reformues, të brendshëm dhe gjithashtu proces reformues në kuptim të hartimit të politikave për tërë sektorin e Drejtësisë.

    Ne kemi filluar hartimin e Planit Strategjik të Ministrisë së Drejtësisë dhe gjithashtu, hartimin e rregullores për organizim të brendshëm të Ministrisë së Drejtësisë. Të dyja janë në proces dhe ne besojmë se deri në fund të këtij viti, Plani dhe Rregullorja e MD-së do të jenë të finalizuara, të cilat me pas do t’i hapin mundësinë ngritjes së llogaridhënies dhe profesionalizmit, e gjithashtu rritjes sëperformancës së zyrtarëve dhe rezultateve të Ministrisë së Drejtësisë.

    Sidoqoftë, duhet përmendur faktin se një numër aktivitetesh dhe akteve ligjore kanë qenë në proces në kohën veç kur kemi marrur mandatin dhe në përputhje me objektivat dhe prioritetet tona, është vazhduar finalizimi i proceseve të tilla.

    Insajderi – Si shef i kabinetit të ministres, cilat janë sfidat më të mëdha në të cilat keni hasur në Ministrinë e Drejtësisë?

    Genc Nimoni: Për më shumë se 17 muaj, kemi hasur në sfida të ndryshme, filluar nga ato me të thjeshta e teknike, e deri tëtë tjerat më përmbajtësore. Sfidë mbetet mungesa e kapaciteteve profesionale të stafit civil dhe gjithashtu, mungesa e kapaciteteve njerëzore në resorë të caktuar. Thënë të drejtën, gjatë ditëve të para të punës, në kontaktin e parë dhe punën e përbashkët me stafin civil të Ministrisë, krijohej përshtypja se disa zyre të administratës, ishin zyre të subjekteve politike, të mbushura me militantë politik të qeverisjeve të kaluara, edhepse do të duhej të ishin shërbyes civil dhe krejt të pavarur politikisht. Një sfidë e tillë vazhdon të mbetet edhe sot, e cila rezulton në mungesë të kapaciteteve profesionale dhe në mungesë të kualitetit të punës. Sidoqoftë, procesi i brendshëm reformues bazuar në standarde profesionale dhe të pavarura do të vazhdojë tutje. Poashtu proceset e mëdha reformuese si procesi i Vetingut në drejtësi, reforma në sistemin prokurorial, hartimi i legjislacionit për konfiskimin me bazë civile janë procese të cilat kërkojnë gatishmëri dhe bashkëpunim nga institucionet e përfshira në këtë reformë dhe mos-gatishmëria dhe hezitimi i disa institucioneve për të bashkëpunuar dhe për ta zhvilluar reformën e tillë, ka qenë sfidë tjetër. Ka edhe sfida të tjera, mirëpo të cilat sfida çdo ditë e më shumë, vazhdojnë të jenë më tëpakëta.

    Insajderi – Cilat janë vendimet më të rëndësishme që janë marrë nga Ministria e Drejtësisë, për gjatë 1 viti e gjysmë?

    Genc Nimoni: Vetingu në sistemin e drejtësisë; Funksionalizimi i Gjykatës Komerciale; Miratimi i Strategjisë për Sundimin e Ligjit; Reforma në sistemin prokurorial si dhe Projektligji për Themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar, janë disa nga veprimet më të rëndësishme të Ministrisë së Drejtësisë për këtë një vit e gjysme.

    Përveç reformave të tilla përmbajtësore, të cilat për synim kanë rritjen e pavarësisë dhe cilësisë së sistemit prokurorial, rritjen e integritetit, transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve të drejtësisë, Ministria e Drejtësisë ka qenë mjaft efikase edhe në realizimin e agjendës legjislative, me ç’rast 46 dokumente ligjore të Ministrisë së Drejtësisë, janë finalizuar dhe aprovuar në Qeveripër 17 muaj qeverisje. Dokumentet e tilla janë si me poshtë:

    –           30 projektligje të miratuara në Qeveri;

    –           6 koncept-dokumente të rëndësishme të miratuara;

    –           2 strategji të rëndësishme dhe 1 rregullore të miratuara;

    –           5 udhëzime administrative e akte të tjera të rëndësishme; dhe gjithashtu

    –           3 marrëveshje ndërkombëtare të nënshkruara dhe një letër qëllim që i paraprinë nënshkrimit të marrëveshjeve

    Insajderi – Njëra nga temat më të rëndësishme me të cilën jeni marrë është Vettingu, për të cilin ka pasur reagime nga më të ndryshmet. Kur besoni se do të jetësohet vettingu në sistemin e drejtësisë dhe cilat pritet të jenë rezultatet nga kjo?

    Genc Nimoni: Vettingu është njëra ndër reformat kryesore të Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë dhe ka zhvillime mjaft pozitive në këtë drejtim, edhe pse një periudhë vetëm 17 muaj në qeverisje. Si MD bashkë me akterët tjerë, ne kemi finalizuar dokumente mjaft tërëndësishme për këtë proces, si koncept-dokumenti për Vetingun, draftin e parë të Projektligjit dhe gjithashtu, atë të Amendamenteve Kushtetuese. Së fundmi me 20 qershor, pas kërkesës së MD-së në Komisionin e Venecias për këtë proces, ne kemi pranuar Opinionin final të Komisionit të Venecias dhe tashmë kemi marrë dritën jeshile për ta zhvilluar procesin e Vettingut përmes një mekanizmi të jashtëm mbi bazën e ndryshimeve kushtetuese, për nivelet e larta. Përveç kësaj, një veting i rregullt do të vazhdojë edhe në afate më të gjata ndaj të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në mënyrë që të konfirmohen gjyqtarët dhe prokurorët me integritet, profesionistë dhe të denjë për detyrën e tillë.

    Pas takimeve konsultuese të Kryeministrit dhe Ministres së Drejtësisë me subjektet politike, dhe takimit të Kryeparlamentarit me shefat e grupeve parlamentare, ka pasur një dakrodim që procesi tani e tutje, pas rekomandimeve të Komisionit të Venecias, të bartët në Kuvend si proces. Me 4 shtator, Dosja e Vetingut me 10 dokumente, është bartur në Kuvend dhe tashmë i përket Kuvendit ta vazhdojë tutje këtë proces. MD do të vazhdojë ta jap kontributin e vet në grupet punuese dhe do të jetë katalizator i këtij procesi.

    Sa i përket afateve, këtë s’mund ta afatizoj me datë të saktë tani, mirëpo Vetingu për nivelet e larta do të përfundojë në afat shumë më të shpejtë për nivelet e larta (brenda këtij mandati, për dy ose tre vjet), ndërsa do të duhet kohë me e gjatë që ky proces të zhvillohet dhe të përfundojë ndaj të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve.

    Insajderi – Një nga temat e “nxehta” vitin e fundit ka qenë edhe themelimi i Byrosë Shtetërore për Verifikimi dhe konfiskimi e pasurisë. Si do të bëhet kjo dhe kush do të jenë zyrtarët/personat që do t`u verifikohet pasuria?

    Genc Nimoni: Verifikimi dhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme, është goditja më e madhe e cila mund t’i jepet keqpërdorimit me pozitat publike dhe keqmenaxhimit me paranë publike. Subjekte të verifikimit dhe të konfiskimit do të jenë zyrtarët publik shtetëror të cilët kanë pasur apo kanë pozita publike.

    Insajderi – Përveç zyrtarëve që do ta drejtojnë Byronë, a do të ketë mbikëqyrës nga jashtë, qoftë shoqëri civile apo institucione tjera ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë?

    Genc Nimoni: Me ligj do të përcaktohet se Byroja do të jetë autoriteti kryesor i cili do të iniciojë procedurën, e cila do të bëhet në Gjykatë, ndërsa autoritet mbikëqyrës do të jetë Kuvendi i Republikës së Kosovës.

    Insajderi – Konkursi i fundit i Noterisë ishte anuluar, për shkak të dyshimeve se ka pasur parregullsi. Çka ka ndodhë me këtë proces, kur pritet konkursi i ri edhe çfarë masash janë marrë nga Ministria e Drejtësi për të mos u përsëritur parregullsitë?

    Genc Nimoni: Njëra ndër sfidat tona mbeten profesionet e lira, me ç’rast si Kabinet edhe kemi vendosur objektiven e fuqizimit të profesioneve të lira. Noteria e cila bën pjesë në këtë komponent, mbetet problematike për arsyet tashmë të njohura për të gjithë. Procesi i fundit rekrutues për emërimin e noterëve të rinj, nga qeverisja e kaluar, siç edhe e dini ka qenë i shoqëruar me probleme të shumta si proces, i cili ka rezultuar në fund të jetë jo-meritor me shumicën e kandidatëve (përjashto disa). Për shkak të parregullsive të tilla, Ministrja Haxhiu kishte anuluar procesin në mandatin e parë. Si proces ishte dërguar në Gjykatë dhe tashmë kemi një vendim Gjykate i cili, cfarëdo që të jetë, duhet respektuar si i tillë. Si Kabinet dhe Ministri e Drejtësisë, mbetemi të përkushtuar në fuqizimin e profesioneve të lira dhe në zhvillimin e proceseve mbi bazën e standardeve profesionale, kritereve të konkurrencës dhe meritor për të gjithë kandidatet.

    Insajderi – Vitin e kaluar është nënshkruar marrëveshja për strehimin e 300 të burgosurve nga Danimarka në Kosovës. Kur pritet të vijnë në Kosovë të burguarit nga Danimarka, dhe cilat do të jenë përfitimet e shtetit nga kjo marrëveshje?

    Genc Nimoni: Më 26 prill të këtij viti, është nënshkruar Traktati për transferimin e të dënuarve nga Danimarka në Kosovë. Sipas procedurave ligjore, kërkohet që Traktati të miratohet në Kuvendin e Kosovës për t’u bërë i zbatueshëm. Pjesë e Traktatit është edhe Marrëveshja për financimin e projekteve në energji të ripërtëritshme në Republikën e Kosovës si dhe projekte që ndërlidhen me sundimin e ligjit. Përfitimet e tjera do të ketë Shërbimi Korrektues i Kosovës në aspektin e infrastrukturës fizike, trajnimeve dhe programeve të ndryshme për SHKK; përfitimi nga përvojat daneze në fushën e ekzekutimit të sanksioneve penale etj.

    Insajderi – Ka pasur reagime nga Organizata Botërore Kundër Torturës, Observatorin Evropian të Burgjeve, Këshillin Ndërkombëtar të Rehabilitimit, rreth kësaj marrëveshje. Cili është qëndrimi i Ministrisë së Drejtësisë lidhur me këto kundërshtime?

    Genc Nimoni: Ministra e Drejtësisë me kujdes ka shikuar dhe analizuar të gjitha implikimet e mundshme në standardet e të drejtave të njeriut gjatë negocimit të Marrëveshjes me palën daneze. Për këtë, jemi siguruar që çdo aspekt i të drejtave të njeriut për të cilat janë përgjegjëse të dy palët, të garantohet gjatë zbatimit të marrëveshjes në praktikë. Vlen të theksohet se në zbatimin e sanksioneve penale (dënimeve) të të dënuarve që do të transferohen në Kosovë, vlejnë rregullat daneze të dënimeve dhe në masë të plotë këto rregulla dhe standarde ofrohen edhe sipas Traktatit në fjalë.

    Insajderi – Keni  qenë pjesë e delegacionit të Ministrisë së Drejtësisë që keni vizituar të akuzuarit nga Dhomat e Prokurorisë së Specializuar në Hagë. Si ka qenë takimi me ta?

    Genc Nimoni: Tashmë ka një vit nga vizita e tillë. Arsyeja e vizitës ishte njoftimi për së afërmi me kushtet dhe të drejtat në të cilat mbaheshin dhe trajtoheshin shtetasit tanë. Takimet me shtetasit tanë në Hagë, konsideroj se ishin mjaft të dobishme në kuptim të adresimit të shqetësimeve të tyre filluar nga çështja e ushqimit,  trajtimit dhe kujdesit shëndetësor, kohës së shëtitjes, çështjes së lehtësimit të pajisjes me vizë për familjaret dhe çështje të tjera, të cilat janë adresuar të organet kompetente të Dhomave të Specializuara.

    Insajderi – Është folur shumë edhe për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë – deri ku kanë shkuar punët rreth krijimit të mekanizimit që do ta bënte dokumentimin e këtyre krimeve?

    Genc Nimoni: Adresimi i krimeve kundër njerëzimit dhe vlerave të mbrojtura me të drejtën ndërkombëtare – krimet e luftës, është njëri ndër prioritetet e Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë dhe ne jemi duke e trajtuar si të tillë. Këtë javë në mbledhjen e fundit të Qeverisë, ne proceduam dhe votuam në Qeveri Projektligjin për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe për herë të parë, ne do të kemi institut për Krime të Luftës të rregulluar me Ligj.  Rëndësia e tij është në faktin se Instituti do të bëjë hulumtimin dhe dokumentimin e shkeljeve të rënda të drejtave të njeriut, krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit, si dhe akteve të gjenocidit të kryera nga 1 janari i vitit 1998 deri me 20 qershor të vitit 1999, dhe jo vetëm. Si Ministri e Drejtësisë gjithashtu jemi duke punuar edhe në hartimin e Strategjisë për Drejtësi Tranzicionale dhe veprime të tjera të cilat i kontribuojnë tutje realizimit të këtij prioriteti.

    Insajderi – Çfarë bashkëpunimi keni me hallkat tjera të sistemit të Drejtësisë, (prokuroritë, gjykatat etj.)?

    Genc Nimoni: Qysh nga fillimi, si Ministri e Drejtësisë jemi përpjekur dhe kemi koontribu në atë që të ketë një bashkëpunim sa me të mirëfilltë dhe profesional me institucionet tjera të drejtësisë. Ju e dini që në secilën iniciativë të MD-së, të gjitha institucionet përfshirë sistemin prokurorial dhe atë gjyqësor, janë ftuar me kohë për pjesëmarrje dhe kontribut profesional. Mund të them më përgjegjësi të plotë që bashkëpunimi është i mirë dhe profesional me institucionet e tilla, përveç në iniciativën e Vetingut dhe atë për reformimin e Këshillit Prokurorial. Të dyja këto iniciativa sikurse iniciativat tjera, kanë për qëllim forcimin e sistemit të drejtësisë, rritjës së integritetit, profesionalizmit dhe llogaridhënies. Ne vazhdojmë t’i konsiderojmë e t’i ftojmë tutje, ndërsa iu mbetet institucioneve të tilla që të marrin pjesë dhe të kontribuojnë sipas obligimit kushtetues që kanë në këto reforma, e cila reformë nuk bëhet për individë të caktuar por për sistemin e drejtësisë si tërësi.

    Insajderi – Cilët do të jenë hapat konkret që do të ndërmerr Ministria e Drejtësisë në mbrojtjen e vajzave e grave nga dhuna e vrasja?

    Genc Nimoni: Ju e dini se Parandalimi dhe adresimi i dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore ka qenë dhe mbetet njëri ndër top prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë. Më të marrë mandatin, është caktuar Koordinatorja Nacionale kundër Dhunës në Familje dhe pas këtij emërimi, është funksionalizuar grupi ndër-ministror për adresimin e çështjeve të dhunës në familje  i cili zhvillon takime në baza mujore dhe më të shpeshta, me synim raportimin, diskutimin mbi sfidat, koordinimin e veprimeve si dhe ndërmarrjen e nismave në përmirësim të situatës në vend.

    Brenda mandatit tonë si Ministri e Drejtësisë,  ndër të tjera, kemi ndërmarrë një sërë veprimesh dhe masash si:

    -Është hartuar Strategjia Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje dhe nga dhuna ndaj grave në Planin e Veprimit të së cilës janë identifikuar 140 aktivitete për tu zbatuar nga institucionet përgjegjëse brenda periudhës 3 vjeçare. E njëjta ka filluar të zbatohet dhe monitorimi i zbatimit konfirmon se 44 aktivitete janë në zbatim e sipër.

    -Është themeluar Grupi Punues që po harton protokollet e para në përgjigje të rasteve të dhunës seksuale dhe së fundmi, është themeluar dhe vazhdon punën Grupi Punues për hartimin e manualeve për kryesit e dhunës në familje.

    -Janë ndërmarrë fushata sensibilizuese kundër dhunës, përgjatë 16 ditëve të aktivizmit dhe gjatë gjithë vitit dhe një gjë e tillë planifikohet të vazhdohet tutje;

    Si Ministri e Drejtësisë brenda autorizimeve që kemi, bazuar në veprimet e deritanishme dhe duke shfrytëzuar të gjithë mekanizmat ligjor dhe institucional, do të vazhdojmë ta trajtojmë me prioritet këtë dukuri, në kuptim të uljes së rasteve, rritjes se rasteve të raportuara dhe eliminimit të kësaj dukurie.

    Insajderi – A është sfidë më e madhe puna si pjesëtarë i shoqëri civile apo si zyrtar shteti?

    Genc Nimoni: Natyra e punës dallon dhe ka anët pozitive dhe sfiduese, qoftë në njërën apo pozitën tjetër. Marr parasysh profilin dhe angazhimin tim për shumë vite në Sundim të Ligjit, nuk shoh shumë dallim në kuptim tëprofilit/fushës. Mirëpo duket dinamikë dhe përgjegjësi tjetër në pozitën e Shefit të Kabinetit dhe Këshilltarit të Ministres së Drejtësisë, dhe është ndjesi fantastike të jesh në shërbim të Shtetit dhe qytetarëve, përkundër sfidave të panumërta që na shoqërojnë çdo ditë.

    Insajderi – Keni studiuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe keni marrë përvoja nga ky shtet rreth sistemit të drejtësisë. Sa kohë do t`i duhet Kosovës për të arritë sado pak në nivelin e sistemit të Drejtësisë Amerikane?

    Genc Nimoni: Përvoja në studimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë e shkëlqyeshme dhe konsideroj mjaft e dobishme. Studimi për Sundimin e Ligjit dhe Qeverisjen e Mirë përputhet edhe me nevojat e shoqërisë sonë në kuptim të fuqizimit të sundimit të ligjit dhe rritjes së standardit për një qeverisje sa më kualitative. Natyra dhe funksionimi i sistemit të drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dallon paksa me atë në Republikën e Kosovës, por njohuritë nga studimet atje, pashmangshëm janë të dobishme në kuptim të kontributit në Republikën e Kosovës për një qeverisje sa me profesionale dhe llogaridhënëse, rritje të integritetit dhe efikasitetit të institucioneve të drejtësisë dhe rrjedhimisht, forcim të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës. Konsideroj se në hapa të sigurt, përmes reformave të nisura, jemi duke lëvizur në këtë drejtim.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark