Megjithëse kandidatja kosovare për deputete në parlamentin e Suedisë, Aurora Pirraku Nika nuk e fitoi një ulëse atje, angazhimi i saj politik nuk ka marrë fund. Duke jetuar mbi 30 vite në Suedi, Nika është bërë një nga figurat më të suksesshme atje, sikurse në politikë ashtu edhe në profesionin e saj. Në një intervistë për Insajderin ajo ka rrëfyer rrugëtimin e saj deri tek integrimi në shtetin skandinav.
Insajderi
Përfshirjen e saj në jetën që zhvillohej në Suedi e filloi me mësimin e gjuhës dhe arsimimin.
Mungesa e atdheut e ka motivuar të njëjtën që të përqafoj vlerat e një shteti tjetër më shpejtë nga se e ka menduar.
Dëshira e saj që të krijoj një stabilitet atje, u kurorëzua edhe me titullin që Nika mori, ajo u bë shqiptarja e parë që ka kryer studimet ne Psikoterapi të Nivelit të Avancuar tek Akademia Skandinave për Psikoterapi.
“Kemi ardhur nga Kosova si çdo shqiptar tjetër, me lot ne sy për çfarë po linim pas dhe me shpresë ne zemër për një vend me mundësi. Kam kryer vetëm detyrën time duke shfrytëzuar mundësitë qe më janë ofruar dhe ato qe i kam ndjekur vetë”, tha Nika për Insajderin.
Politika në Suedi tek pjesmarrësit aktiv kërkon persona që e duan ndryshimin dhe mendimin kritik tek ata. Kësisoji Nika ishte person i përzgjedhur për përfaqësim në këtë sektor.
Ajo në intervistë sqaron edhe arsyet e largimit të saj nga partia e mëparshme dhe vizionin e saj në partinë aktuale.
Dallimi i emancipimit të grave suedeze në analogji me ato shqiptare, kontaktet me politikanët kosovar, kush e uroj për kandidimin dhe pozitën në bordin e regjionit dhe detaje të tjera rreth jetës personale mund ti mësoni në intervistën e plotë.
Intervista e plotë:
Insajderi: Znj. Pirraku, Nika, a mund të na tregoni se si keni arritur të integroheni në jetën suedeze, dhe sa ka qenë e vështirë të arrini këtu ku jeni sot?
Aurora Pirraku Nika:
Padyshim që duhet të punohet për një sukses që dëshirojmë ta arrijmë. As suksesi dhe as integrimi nuk kanë ardhur brenda një dite, kam punuar me vite pa ndalim. Në Suedi erdha me fëmijët e mi, të tret dhe menjëherë iu përkushtova mësimit të gjuhës dhe arsimimit. Duke e ditur që ne shqiptarët kemi vlera të çmuara të cilat shkojnë kah ato suedeze, u përshtata lehtësisht këtu. Duke patur gjithmonë atdheun në mendje, mungesa e ambientit shqiptar behet një barrë në zemër, por, unë e kam përdorur ketë për të motivuar vetveten të sjell një ndryshim. Dhe pikërisht ky vullnet për të sjellë një ndryshim më ka bërë të synoj të arsimohem dhe edukohem, të angazhohem në punë dhe në jetën politike.
Insajderi: Ju kishit shpallur kandidaturën për zgjedhjet për Parlamentin suedez këtë vit, si erdhet deri tek vendimi mbi angazhimin politik.
Aurora Pirraku Nika: Në fakt, kjo ka ardhur si një ftesë. Gjatë studimeve të gjuhës suedeze unë u spikata si një person që kërkon ndryshime, përmirësime, që gjithmonë shtron pyetjen “pse?” dhe e ngre zërin për të gjitha çështjet. Ndaj më ka ardhur ftesa pasi i vlerësuan këto tipare si të nevojshme ne politiken suedeze.
Insajderi: Ky është viti i parë ku ju kandiduat me një parti të re, pse ndryshuat partinë, çka ndryshoi bindjet tuaja?
Aurora Pirraku Nika: Kjo është hera ime e tretë që isha kandidate për zgjedhjet parlamentare ne Suedi. Kam qenë kandidate 2 here me Socialdemokratet dhe tashmë jam kandidate me Moderatet. Tashmë jam anëtare e bordit të regjionit me ta dhe pres angazhime të mëtejshme politike.
Angazhimi im i mëparshëm ka qenë me partinë Socialdemokrate ,por, për shkak të shumë arsyeve bëra këtë ndryshim. Kam qenë e angazhuar për shumë vite me Socialdemokratet, madje edhe pjesë e bordit të partis dhe regjionit, por prej shumë kohësh kisha vënë re që mbështetja e tyre, e cila në fillim ishte masive, ishte dobësuar për shkak se idetë e tyre nuk ishin më largpamëse.
Shoqëria ka ecur me hapa shume te shpejtë zhvillimi dhe kjo nuk është paraqitur në programin e tyre. Kjo ishte ajo çka me shtyu të ndryshoja pasi vura re se Moderatet kanë ide më moderne dhe kjo vjen për shkak të shkollimit të tyre. Ndaj mu desh të lëshoja pozitat e mia. Ata i vlerësuan vlerat e mia dhe me ftuan menjëherë. Angazhimi im me ta është me pak se 8 muaj por ata e panë potencialin tim dhe më ftuan të jem kandidate menjëherë për zgjedhjet parlamentare.
Insajderi: Cilat vlera i përfaqëson partia juaj dhe me çfarë vlera identifikoheni ju?
Aurora Pirraku Nika: Vlerat e partisë sime, “Moderatet”, përputhen me vlerat e mia dhe kjo ka qenë arsyeja parimore për të cilën unë u angazhova me ta. Programi i tyre është modern dhe i avancuar, qe përputhet me mendimet e mia. Në vlerat e mia është dhe gjithmonë ka qenë përfaqësimi i femrës në politike, gjë që është një çështje e padiskutueshme për Moderatet.
Insajderi: Nga perspektiva juaj, çka i mungon politikes kosovare?
Aurora Pirraku Nika: Mendoj se politikanët duhet të angazhohen më shume në edukimin politik. Te qenurit politikan është një barrë e madhe dhe personat që e kryejnë ketë punë duhet te jete te plotësuar ne te gjitha aspektet, përfshire edukimin politik. Nga ana tjetër mendoj se politika në Kosovë ka nevoje të punojë me tepër me konceptin e bashkëpunimit. Është e pamundur të çohet përpara një vend pa bashkëpunuar me palë të tjera. E fundit, por jo me pak e rëndësishme është përfaqësimi i femrës në politikë. Pavarësisht zhvillimeve te fundit, kjo ngelet ende një nga problemet kryesore, veçanërisht në një shoqëri që synon të zhvillohet, mungesa e femrave në politike e çalon ketë zhvillim.
Insajderi: Si e vlerësoni politikën e Kosovës në aspektin diplomatik?
Aurora Pirraku Nika: Mendoj se mund të dallohet shumë qartë përmirësimi që ka ardhur me kalimin e kohës. Tashmë statusi diplomatik i Kosovës është shumë herë më lartë se përpara, por kjo nuk do te thotë që është perfekt. Duke jetuar ne Suedi e kam kuptuar që diplomacia zgjidh më shumë pune se kryeneçësia dhe kokëfortësia ndaj do të dëshiroja shume te shihja investime me të mëdha në ketë pikëpamje pasi do ti sjelli vetëm përfitime Kosovës.
Insajderi: Si e shihni përfaqësimin e vajzave dhe grave shqiptare, ato që janë në postet e larat të shtetit, pra në vendimmarrje?
Aurora Pirraku Nika: Historia e përfaqësimi të femrave shqiptare në vendimmarrje është një histori jo fort e lumtur, të paktën në vitet e fundit. Për momentin, jam e kënaqur pasi shoh se shume përmirësime janë bërë, dhe këto nuk janë vetëm sporadike. Shoh se ka një kulturë tashme për të përfshire femrat në vendimmarrje dhe se shume femra të zonja konkurrojnë përkrah meshkujve si të barabarta.
Kjo nuk është një lufte qe fitohet me një betejë, por, do të duhen shumë beteja. Shumë prej tyre do t’i humbasim, por, rendësi ka që të vazhdojmë të ecim përpara pasi Kosova ka shume potencial. Femrat shqiptare në Kosovë kanë vullnet edhe dëshirën për të përmirësuar dhe ato kanë një input shumë domethënës ne vendimmarrje. A ka ende rrugë për të bërë? Shumë, por rendësi ka që Kosova është në rrugën e duhur dhe vetëm ecën përpara. Mua më kanë ftuar shpesh në takime me lidere të ndryshme politike në Kosovë ku kam patur mundësinë që tu shpreh eksperiencën time të angazhimit politik në Suedi.
Insajderi: Sa do të zgjasë angazhimi juaj politik, keni ndonjë mendim?
Aurora Pirraku Nika: Mendoj se angazhimi im politik ka akoma shume rrugë për të përshkruar. Nuk e shoh veten time ende jashtë saj sepse jo vetëm qe është një angazhim qe unë e bëjë me gjithë zemër, por edhe sepse me kërkojnë gjithmonë të angazhohem në shume sipërmarrje të ndryshme politike sepse kërkojnë mendimin tim.
Insajderi: A keni pranuar ndonjë mesazh nga politikanët kosovar kur keni shpallur kandidaturën? Nëse po nga kush?
Aurora Pirraku Nika: Kanë qenë të shumtë politikanët si nga Shqipëria ashtu edhe Kosova që më kanë përgëzuar dhe me kanë ofruar mbështetjen e tyre. Ata që e kanë vlerësuar angazhimin tim me se shumti kanë qenë politikë të djathtë nga Kosova dhe kryesisht Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila është një parti sikurse motër me partinë tonë. Ndihem shume krenare për këtë. Personi që do veçoja është politikani i LDK-së, njëkohësisht edhe partneri im, Bedri Nika që nuk ka rreshtur për asnjë moment duke më mbështetur e ndihmuar në këtë rrugëtim.
Insajderi: Përtej politikës, ju keni kryer studimet ne Psikoterapi të Nivelit të Avacuar, kjo iu ka dhënë titullin e shqiptares së parë që u diplomua në këtë drejtim, na flisni pak për rrugën akademike që keni ndjekur?
Aurora Pirraku Nika: Psikoterapia, siç e përmendni dhe ju, është një fushe sa e rëndësishme, aq edhe e komplikuar. Ndaj edhe pranimi në këtë nivel nuk është si gjithë shkollat e tjera, por kryhet ne shume faza. Faza e pare është në lidhje me kushtet e pranimit, ku duhet te kesh një diplome në backgroundin e duhur (psikoterapi ose pune sociale ose mjek me kompetenca specialisti).
Pas përfundimit te diplomës, aplikanti duhet të ketë qenë profesionalisht aktiv dhe të ketë praktikuar qasje psikoterapeute me nje psikoterapist të licencuar. Këto, bashkë me kritere të tjera akademike.
Faza tjetër është pak me e ndërlikuar. Hulumtues te këtij drejtimi dhe profesorët e degës kryejnë teste të ndryshme individuale mbi aplikuesit në mënyre që të sigurohen për edukimin, aftësitë dhe gjithçka tjetër. Këto janë të nevojshme pasi një psikoterapeut është njëlloj mjeku, ka një përgjegjësi te madhe mbi jetën e pacienteve. Kjo është si e rrezikshme, ashtu edhe shpresëdhënëse. Kështu qe edhe unë, i jam nënshtruar këtyre testeve dhe fale edukimit, karakterit dhe pasionit tim për Psikoterapi, kanë diplomuar e specializume në këtë vit 2022.
Të trajtosh paciente me qasje psikoterapeute është mjaft e vështire, pasi kemi të bëjmë me atë çfarë njeriu konsiston, me ndjenjat, me eksperiencat, me kujtimet. Çdo pacient është i ndryshëm kështu që secili paraqet një sfide me vete, por kjo nuk përbën problem për mua pasi me pëlqejnë sfidat dhe me pëlqen më tepër të ndihmoj njerëzit që të përmirësojnë vetveten.
Insajderi: Çfarë përgjigjie do jepnit nëse do iu kërkohej që të ktheheni në Kosovë për të shërbyer në politikë ose në Psikoterapi?
Aurora Pirraku Nika: Asnjëherë nuk e kam harruar vendlindjen time kështu që kjo përgjigje është e qarte si kristal. Patjetër që po. Unë kam qenë, jam dhe do të jem gjithmonë e gatshme që të mund të ndihmoj me aq sa mundem atdheun, Kosovën. Unë kam marre një edukim mjaft të zgjeruar dhe kam patur mundësinë që të praktikoj së tepërmi, kështu që mendoj se do te mund te sillja diçka ndryshe në sektorin e Psikoterapisë. Por edhe atë të politikës duke e ditur përvojën që kam tashmë. Është gjeja më e natyrshme qe një person të doje të kontribuoje në vendin e vet. Kështu në vjeshtë të këtij viti, 2022, do te nis konsulta online me paciente nga Kosova, Shqipëria, Suedia dhe Maqedonia. Ka qenë gjithmonë qëllimi im të mund të ndihmoj njerëzit dhe kështu, mendoj se tani ka ardhur momenti se unë kam një mundësi për ta bëre ketë.
Insajderi: Për fund, cili është mesazhi juaj për të gjitha femrat shqiptare që ëndërrojnë suksesin?
Aurora Pirraku Nika: Unë erdha ne Suedi në moshën 19 vjeçare me fëmij. Jeta në Suedi është e mire dhe e qetë dhe kjo e bën njeriun te jetë i kënaqur me jetën e tij dhe te mos kërkoje më shumë. Por unë gjithmonë kam patur një gur nga Drenasi, nga vendi ku jam rritur dhe ku kam ëndërruar të punoj, të jetoj dhe të vdes. Kur kam hasur vështirësi në jetë apo gëzime të mëdha, kam shikuar gurin tim dhe kam vazhduar dhe lexuar pa u ndalur. Guri është simboli nga jam dhe ku duhet te jem.
Guri më jep sinjal konkret që çfarë ishte ëndrra ime kur isha fëmije. Premtimet qe unë i kam në vetvete janë: në çdo minute e sekonde, përkujdesja dhe sukseset nuk kam për ti lëshuar. Fëmijët e mi do të jenë të përgatitur qe çdo e mire qe merret nga Suedia, t’ia kthejnë të tjerëve duke i ndihmuar si ne Suedi, ashtu edhe në vendlindjen tonë në Kosovë e kudo ku gjenden shqiptarët.