![](https://a3748898.delivery.rocketcdn.me/wp-content/themes/insajderi-org/logo/menu-insajderi.png)
Se Serbia nuk mund të “rikthejë” afro një mijë trupa në Kosovë duke u thirrur në Rezolutën 12/44 të Këshillit të Sigurimit ka qenë e qartë qysh në fillim, thotë analisti kroat nga Zagrebi, Davor Gjenero në një intervistë dhënë për gazetën Insajderi.
Kjo ngase një gjë e tillë, siç pretendonte ta paraqiste Aleksandar Vuçiq për gjoja rrezikimin e serbëve dhe nevojën për mbrojtje ushtatrake të tyre, as që është e shkruar në atë Rezolutë, shpjegon eksperti kroat i çështjeve të Ballkanit.
“Por, pse po e bënte këtë? Në njërën anë për publikun e përgjithshëm serb, kurse në anën tjetër sepse priste që Kosova të bënte ndonjë hap të gabuar, ndërsa edhe më tej sepse është i përqendruar të bllokojë çdofarë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Gjenero për Insajderi.
Krejt këto manovrime, Davor Gjenero i sheh në funksion të mënjanimit të tablos së përgjithshme për normalizim të marrëdhënieve të hartuar në planin evropian, ndryshe të njohur edhe si plani franko-gjerman.
Aleksandar Vuçiq, sipas analistit kroat, “nuk është i gatshëm të pranojë zgidhjen sipas planit të vendosur nga Franca dhe Gjermania, që tashmë është i pranuar edhe nga shtetet tjera të BE’s”.
“Pra, është i interesuar të mirëmbajë status quo-n, që të ketë konfliktin e ngrirë me Kosovën, ta bllokojë Kosovën si shtet në anëtarësimet e saj në organizata ndërkombëtare dhe po sillet në interesin më të mirë të Rusisë dhe regjimit totalitar të zotit Putin”.
Pyetur nga Insajderi se si e sheh frazimin për konkludimin e Dialogut Kosovë-Serbi në “njohje të ndërsjellë” nga Shtetet e Bashkuara, Gjenero e sheh si përfundim të duhur.
Ndonëse vëren deklaratën e zv/ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Gabriel Escobar, se nëse njohja e ndërsjellë nuk është e mundur për momentin palët duhet të shkojnë për një marrëveshje që i afron më tej synimeve integruese euro-atlantike të tyre, Gjenero thotë se “pas pesë ose dhjetë vitesh duhet ta njohin njëra tjetrën”.
Çështja e njohjes sipas tij, “mund të jetë e fjetur ose e hapur”.
“Mund të jetë ose e shkruar ose që të dyja palët të jenë në dijeni/vetëdijshëm se ajo lloj njohje ekziston. Ka mundësi të ketë njohje eksplicite të Kosovës nga Serbia, dhe është zgjidhja tjetër e hartuar në projektin e Ischnger-it, kjo si një lloj përsëritje e projektit të Dy Gjermanive”.
“Mendoj se kur Escobar thotë se mbase për momentin nuk është mundësia të ketë njohje të ndërsjellë, ai nënkupton se dy shtetet duhet zgjidhin pragmatikisht problemet dhe të bëjnë aranzhime siç e kishin Dy Gjermanitë, kur Gjermania Perëndimore u desh të pranojë dhe tolerojë ekzistencën e Gjermanisë Lindore në organizata ndërkombëtare”.
Gjenero e konsideron një marrëveshje të tillë të mirë, por përkohësisht ashtu.
“Pra, për momentin, mendoj se kjo është zgjidhje e mirë, dhe sigurisht se kjo nuk është një diçka e përhershme, por si zgjidhje e përkohshme. Por, sigurisht, se pas pesë ose dhjetë vitesh shtetet duhet ta njohin njëra tjetrën”, tha ai për Insajderi.
Davor Gjenero thotë se nëse Serbia dëshiron të përkasë projektit evropian për ndërtim të paqes në kontinent, atëherë ajo duhet të pranojë këtë marrëveshje ndonëse nuk e nënshkruan njohjen formale.
Por njohja reciproke duhet të jetë konkluzioni i këtij procesi, beson ai.
“Alternativa ndaj njohjes reciproke mendoj se është skenar makthi prej më të këqinjve. Dhe, Serbia në njëfarë mënyre po e shtyn Kosovën drejt këtij skenari makthi. Shtetet nuk mund të izolohen ndaj proceseve kryesore ndërkombëtare”.
Në lidhje me Asociacionin e shumëkontestuar të Komunave me shumicë Serbe, Gjenero thotë se në asnjë mënyrë ajo nuk duhet të jetë organizim si shtetëror. Duhet të jetë formë të një Organizare Jo-Qeveritare, thotë ai.
Analisti kroat jep shembullin se si kjo funksion në Kroaci.
“Kjo zgjidhje u pat bërë në Kroaci gjatë integrimit paqësor të zonave të Danubit. Në Kroaci funksionon për mrekulli sepse ai organizim komunash nuk është aranzhim i komunave si shtet; por si diçka e organizuar si organizatë jo-qeveritare”.
“Ato komuna nuk kanë ndofarë statusi special në lidhje me marrëdhëniet me shtetin qendror kroat, por kanë mundësi për bashkëpunim të ndërsjellë dhe financimin e projekteve të tyre përmes asaj Këshillit të Komunave siç quhet në Kroaci e cila është organizatë joqeveritare”, tregon ai.
Në këtë format, ai thotë se “kjo organizatë funksionon mirë gjer më sot është frytdhënëse”. Por, paralajmëron ai, çdo format përtej ose më shumë se kaq “është e rrezikshme”.
“Çfarëdo që shkon përtej ose më shumë se kjo, atëherë bëhet e rrezikshme për të dyja komunitetet; edhe për shumicën shqiptare edhe për pakicën serbe. Kjo u bë në mënyrë të gabuar në Bosnje-Hercegovinë me ‘Republika Srpska’-n”.
Analisti kroat vëmendjen e vendos kah Maqedonia e Veriut ku integrimi është bërë asisoji pa aranzhime speciale territoriale.
“Çfarëdo Asociacioni i Komunave Serbe është krejtësisht i gabuar”.
“Mendoj se Kosova duhet të ofrojë një lloj OJQ-je që do të siguronte hapësirën për bashkëpunim ndërmjet komunave me një numër të konsiderueshëm të banorëve që u përkasin pakicave, por nuk duhet të jetë si lloj organizim shtetëror por vetëm si organizatë e bazuar në interesa të përbashkët dhe për financimin e projekteve të pëbashkëta në rajon”.
Gjenero thotë se do të ishte e gabuar edhe për vetë faktin se minoriteti serb në Kosovë është më pak se 5 përqind e popullatës.
Intervista e plotë me Davor Gjenero:
Insajderi: Presidenti i Serbisë lajmëroi se forca paqereuajtëse e NATO’s në Kosovë ua refuzoi kërkesën për kthim të një mijë trupave serbe në Kosovë. Nuk ka nevojë për këso trupash u shpreh KFOR’i, tregoi Vuçiq. Dihej se KFOR’i nuk do ta pranonte këtë, ama çfarë po provonte të dëshmonte presidenti serb me këtë kërkesë?
Gjenero: Qysh në fillim të kësaj drame, krize, le ta quajmë si të duam, ishte plotësisht e qartë se s’ka mundësi të ketë ndofarë pranie ushtarake ose policore të Republikës së Serbisë në Kosovë, në aso mënyrash siç po kërkonte [Aleksandar] Vuçiq. Kjo ngase as nuk është e shkruar në Rezolutën e OKB mbi të cilën po e ndërtonte atë kërkesë. [Aty shkruhej se] Serbia mund të ishte prezente në Kosovë në heqjen e minave, në ruajtjen e disa objekteve të Kishës Ortodokse, e të tjera, por jo si dikush që do të mund të mbante rregull e rend e me përgjigje ushtarake në ndonjë pjesë të Kosovës. Kështu që, Vuçiq qysh prej fillimi e dinte që KFOR’i nuk do t’ia plotësonte këtë kërkesë. Por, pse po e bënte këtë? Në njërën anë për publikun e përgjithshëm serb, kurse në anën tjetër sepse priste që Kosova të bënte hapa të gabuar, ndërsa më tej sepse është i përqendruar të bllokojë çdofarë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë; dhe se nuk është i gatshëm të pranojë qëndrimet dhimbëse në zgidhjen e planit të vendosur nga Franca dhe Gjermania, që tashmë janë të pranuara edhe nga shtetet tjera të BE’së. Pra, është i interesuar të mirëmbajë status quo-n, që të ketë konfliktin e ngrirë me Kosovën, ta bllokojë Kosovën si shtet në anëtarësimet e saj në organizata ndërkombëtare dhe po sillet në interesin më të mirë të Rusisë dhe regjimit totalitar të zotit Putin. Duke mbajtur konflikte në Ballkan mund të rezultojë në kriza më të thella për herën tjetër. Praktikisht është e njëjta politikë që ndiqte [Slobodan] Millosheviqi gjatë të nëntëdhjetave në krijimin e krizave për të ndalur integrimet në Bashkimin Evropian.
Insajderi: Zyrtari i lartë i DASh, Derek Chollet udhëton në Prishtinë dhe Beograd këto ditë. Shohim se amerikanët janë në lëvizje për të gjetur zgjidhje për krizën mes palëve, derisa kërkojnë që marrëveshja të jetë e qëndërzuar në njohje të ndërsjellë, frazë kjo e rikthyer në qëndrimin amerikan ndonëse zoti Gabriel Escobar në një rast la të nënkuptohej se mund të jenë pro edhe një marrëveshje pa njohje. Çfarë lexoni ju në këtë frazim që u rikthye për njohje të ndërsjellë?
Gjenero: Njohja e ndërsjellë mund të jetë e hapur ose e fjetur. Mund të jetë ose e shkruar ose që të dyja palët të jenë në dijeni/vetëdijshëm se ajo lloj njohje ekziston. Ka mundësi të ketë njohje eksplicite të Kosovës nga Serbia, dhe është zgjidhja tjetër e hartuar në projektin e Ischnger-it, kjo si një lloj përsëritje e projektit të Dy Gjermanive. Mendoj se kur Escobar thotë se mbase për momentin nuk është mundësia të ketë njohje të ndërsjellë, ai nënkupton se dy shtetet duhet zgjidhin pragmatikisht problemet dhe të bëjnë aranzhime siç e kishin Dy Gjermanitë, kur Gjermania Perëndimore u desh të pranojë dhe tolerojë ekzistencën e Gjermanisë Lindore në organizata ndërkombëtare. Kjo është një zgjidhje diplomatike e cila mendoj se mbase Kosova dhe Serbia mund ta pranojnë. Pra, për momentin, mendoj se kjo është zgjidhje e mirë, dhe sigurisht se kjo nuk është një diçka e përhershme, por si zgjidhje e përkohshme. Por, sigurisht, se pas pesë ose dhjetë vitesh shtetet duhet ta njohin njëra tjetrën. Mendoj se nëse Serbia është interesuar të jetë pjesë e projektit evropian të ndërtimit të paqes atëherë edhe duhet ta pranojë këtë zgjidhje ndërkohë që për momentin nuk e nënshkruan njohjen formale të Kosovës. Alternativa ndaj njohjes reciproke mendoj se është skenar makthi prej më të këqinjve. Dhe, Serbia në njëfarë mënyre po e shtyn Kosovën drejt këtij skenari makthi. Shtetet nuk mund të izolohen ndaj proceseve kryesore ndërkombëtare. Njëra dhe e vetmja zgjidhje tjetër nëse Kosova nuk integrohet në organizata ndërkombëtare, është integrimi me Shqipërinë dhe bërja pjesë me komunitetin ndërkombëtarë përmes shtetit shqiptar. Besoj se kjo do të sillte probleme të mëdha në Ballkan. Kjo nuk do të ishte zgjidhje e mirë për Kosovën fare. Mendoj se njerëzit e Kosovës e kanë këtë potencialin kombëtar, që kanë kulturë shumë të fortë politike, diçka që mua bënte përshtypje në atë kohën e regjimit totalitar të Millosheviqit. Kosova ia doli të kishte një shtet nën hije, të ruante dhe siguronte të mirën publikën për qytetarët e saj edhe në kohërat më të këqija. Prandja, nuk do të ishte e duhur që njerëzit e Kosovës të heqin dorë nga shteti i tyre. Gjermania ofron dy shembuj të mirë për Kosovën: njëra është e ajo për Dy Gjermanitë ndërsa tjetra për marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Austrisë. Dy kombe me të njëjtën gjuhë dhe kulturë të përbashkët sociale por me tradita tjera politike; dhe dy shtete të tyre. Sot askush nuk flet se Austria është pjesë e qarkut politik gjerman, ose që dominohet nga Gjermania në marrëdhëniet ndërkombëtare. Pra, mendoj se Kosova duhet të ndërtojë pavarësisnë e saj si shtet, e njohur plotësisht ndërkombëtarisht, me marrëdhënie të shkëlqyera me Shqipërinë, politikisht e kulturalisht, por jo integrim shtetëror sepse kjo do të ishte fillimi i një tregtimi tjetër sikur të situatave të pas-Luftës së Dytës Botërore në Evropë. Zgjidhja evropiane është paterna e duhur për probleme në Ballkanin Perëndimor.
Insajderi: Si e vlerësoni ju Asociacionin e shumëkontestuar të Komunave me shumicë Serbe, marrëveshje kjo që ka mbështetjen edhe të ShBA’së, por që mbetet një çështje e kundërshtuar fuqishëm veçanërisht nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti?
Gjenero: Kjo nuk është diçka e re; kjo zgjidhja për ndërlidhjen e komunave me pakicat/shumicat kombëtare. Kjo zgjidhje u pat bërë në Kroaci gjatë integrimit paqësor të zonave të Danubit. Në Kroaci funksionon për mrekulli sepse ai organizim komunash nuk është aranzhim i komunave si shtet; por si diçka e organizuar si organizatë jo-qeveritare. Ato komuna nuk kanë ndofarë statusi special në lidhje me marrëdhëniet me shtetin qendror kroat, por kanë mundësi për bashkëpunim të ndërsjellë dhe financimin e projekteve të tyre përmes asaj Këshillit të Komunave siç quhet në Kroaci e cila është organizatë joqeveritare. Ka pasur nevojë që atë organizatë ta fusin në Kushtetutë dhe ka pasur presion nga Beogradi për këtë ndërsa opozita liberale kroate ka qenë fuqishëm kundërshtuese gjatë proceseve integruese evropiane. Kjo organizatë funksionon gjer më sot, është e mirë dhe frytdhënëse. Çfarëdo që shkon përtej ose më shumë se kjo, atëherë bëhet e rrezikshme për të dyja komunitetet; edhe për shumicën shqiptare edhe për pakicën serbe. Kjo u bë në mënyrë të gabuar në Bosnje-Hercegovinë me “Republika Srpska”-n. Ka paterna për organizim të mirë në Maqedoninë e Veriut ku të dy komunitet më të mëdha janë të integruar në shtet pa ndonjë aspekt të veçantë territorial. Çfarëdo Asociacioni i Komunave Serbe është krejtësisht i gabuar. Mendoj se Kosova duhet të ofrojë një lloj OJQ-je që do të siguronte hapësirën për bashkëpunim ndërmjet komunave me një numër të konsiderueshëm të banorëve që u përkasin pakicave, por nuk duhet të jetë si lloj organizim shtetëror por vetëm si organizatë e bazuar në interesa të përbashkët dhe për financimin e projekteve të pëbashkëta në rajon. Çfarëdo lloj ndarje e shtetit është e gabuar, dhe praktikisht kur keni një minoritet nën 5% të popullatës, do të ishte krjetësisht e gabuar dhe do të ishte e rrezikshme për Kosovën por edhe për serbët e Kosovës.
Insajderi: Dhe, krejt në fund. Si i keni parë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, politikisht dhe kulturalisht?
Gjenero: Është gjithherë e rëndësishme se si minoritetet e të dyja shteteve janë të integruara te njëri tjetri. Shqiptarët në Kroaci janë thellësisht të integruar; në gjeneratën e dytë ose të tretë ata plotësisht po bëhen pjesë e shoqërisë kroate. Ata janë tejet të respektuar dhe të integruar në shoqërinë kroate. Po bëhen shumë të rëndësishëm dhe minoritet i fuqishëm. Kanë edhe disa mandate për përfaqësim politik në Parlament dhe deputetja e tyre është një zonjë tejet konstruktive që bën punë të mirë. Ka marrëdhënie të veçanta nga Lufta mbrojtëse kroate, ku shumë shqiptarë ishin pjesë e Ushtrisë Kroate, disa edhe në pozitat më të larta gjeneralësh, disa prej veteranëve të luftës në Kroaci ishin pjesë e mbrojtjes së Kosovës në 98-99. Marrëdhëniet ushtrisë kroate janë të mira me Kosovën. Ekonomikisht Kroacia është tejet e pranishme në Kosovë. Ushtria kroate është pjesë e KFOR’it të NATO’s. Praktikisht nuk ka asnjë çështje të hapur politike mes dy shteteve. Në çfarëdo krize ka një nivel të lartë solidaritetit dhe empatisë mes dy kombeve. Shembull, ajo ngjarja e tmerrshme para mëse një viti në Slavodski Brod me atë autobusin. Kroacia ishte angazhuar plotësisht në ndihmë, duke e transportuar Kryeministrin dhe njerëzit e qeverisë kosovare në Kroaci. Pra, ka një lidhje të fuqishme mes kroatëve dhe shqiptarëve, edhe në Kosovë edhe në Kroaci. /Insajderi/