LUTFI DERVISHI
– Pronari yt thotë se ju jeni paqësor pse kaluat në akte dhune aq më tepër tani në mes të sezonit turistik në Sarandë?
-Jam nën akuzë? Kam të drejtë të marr avokat.
-Ke, por avokatët janë në grevë pa afat për shkak të hartës së re gjyqësore që ka shkurtuar numrin e gjykatave. Pse godite policët?
-Nuk është çështje personale.
– Po i dredhoni pyetjes?
-Jo. Në fillim u nervozova se policët bashkiakë erdhën ngaqë dikush më kishte denoncuar si ari. Unë, sikundër e shihni nuk jam ari. Quhem Kikua.
-Raporti policisë thotë se keni goditur me shpulla të tre policët bashkiakë. Pse?
-Njëri më shau dhe më tha ky mund të ketë lijën e majmunëve.
-Pse je i sigurtë se nuk ke sëmundjen ngjitëse?
-Më vjen keq për ju se jemi edhe kushërinj. Këto 100 vitet e fundit keni rrjedhur fare: në fillim u frikësuat nga gripi shpendëve, pastaj gripi pulave, pastaj gripi derrit, pastaj covidi nga lakuriqi dhe tani lija majmunit. Kam një pyetje për ju zoti prokuror, pse nuk vizitoheni te veterineri, por ende besoni te doktori?
-Po dy policët e tjerë…
-Kam arsyet e mia. E para nuk po bëjnë detyrat. Në Sarandë, por edhe në Tiranë që isha ditët e fundit, po rrallohen pemët dhe po shtohet betoni. Në Tiranë godina më e gjatë në Ballkan ka ndërtuar 5 kate pa leje.
-E ç’të duhet ty kjo?
– Kot. Ngjitur me këtë kullën e lartë, kishin prerë 10 pemë para ETC-së. Kur pronari im shpirtmirë futej aty për kafe, unë rrija te pemët aty. Nga aty kam parë katet pa leje. Polici bashkiak i Tiranës më tha se lartësia e kullës, në fillim, ishte ndërtuar sipas hartës së Shqipërisë, por duke parë se Europa nuk po hap negociatat, u shtuan edhe 5 kate për t’i bërë vend Shqipërisë së Madhe.
-Ou. Paske filluar të merresh edhe me politikë?
-Jo nuk ngatërrohem me politikë. Para se të vija te ju refuzova një kërkesë që me erdhi nga opozita.
– Çfarë ju kërkoi opozita?
– Më premtuan banane falas gjithë jetën, nëse do të merrja 20 majmunë të tjerë dhe t’i bashkohem protesës së ardhshme të opozitës.
-Çfarë të pëlqeu në Tiranë?
Kopshti zoologjik. Më i mirë në botë.
-Po tallesh?
JO e kam serioizisht. Shumica e kafshëve aty ishin prej plastike. Pra është hap para për të respektuar të drejtat e kafshëve.
– Ç’ne në Shqiperi?
– Kisha dëgjuar se keni bananet më te mira në botë? Kur ha bananet këtu jetoj dy jetë në të njëjtin moment!
-Po turistin grek pse e keni goditur?
-Për hakmarrje!
-A mund të na sqarosh?
– Greku është dinak. Bën sikur na sjell turist për një ditë dhe na merr punëtorët për një vit. E keni parë këtë vit që fëmijët po punojnë si kamarjerë. Por nuk e kam goditur vetëm për këtë. Turisti grek më fyeu rëndë.
-Çfarë të tha?
-Sapo të mbarojë gjyqi për detin, – tha, do jesh ti turist në Sarandë dhe jo unë. Pastaj nëpër dhëmbë shtoi: ne jemi më të vjetrit mbi dhé! Ju keni ardhur pas nesh!
-Për turistin grek, mund të bëjmë një tolerim, por a e di që e ke pisk se të rrahësh policët është goditje për shkak të detyrës?!
-E di, por pikërisht për shkak të detyrës i kam goditur. Nuk kanë kryer detyrën.
Nuk garantojnë hapërsirë në plazhin publik.
– Për sot mbaruam!
– Zoti, prokuror, meqë ju mbaruat kam edhe unë një pyetje për ju: Për kureshtje, a ka ndonjë gjë tek inceneratorët me emrin Kiko Trimi?