×
  • Lajme
  • Analiza

    Intervistë me Teutë Rrustën – Çka bëri Qeveria Kurti për gratë përveç ndarjes së pozitave në pushtet?

    Insajderi
    27 July 2022 - 17:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Me 22 mars në Kuvendin e Kosovës u votua Qeveria Kurt i 2. Nga 18 anëtarë të kabinetit qeveritar 6 prej tyre janë gra. Grave në pushtet iu janë besuar dikastere të rëndësishme. Prej tre zëvendëskryeministrave dy prej tyre janë gra. Emilja Redzepi, zëvendëskryeministre e tretë për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut. Si zëvendëskryeministre të dytë e emëroi Donika Gërvalla-Schwarz përveç kësaj asaj iu besua edhe posti i ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

    Ministria e Drejtësisë iu besua Albulena Haxhiut ajo e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavcit. Ministria e Ekonomisë, Artane Rizvanollit e ajo e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdarit.

    Ndërkohë që edhe në Kuvendin e Kosovës partia në pushtet ka plotë 22 gra deputete. Edhe shefja e Grupit Parlamentar është zgjedhur një grua, Mimoza Kusari-Lila. Gjithë këto gra në pozita udhëheqëse, a ndërmorën ndonjë veprim, iniciativë për të përmirësuar, fuqizuar rolin e gruas në shoqëri?

    Përjashto këtu përkujtimet në rastet specifike për gratë. Nuk mungojnë postimet mbështetëse që bëhen nga ana e tyre nëpërmes llogarive në rrjetet e tyre sociale.

    Përtej kësaj, çka bënë gratë në pushtet më konkretisht Qeveria Kurti për gratë tjera?

    Në plan programin e Qeverisë Kurti iu janë kushtuar edhe disa rreshta grave, se si e çka do të bëjë kjo qeveri për të fuqizuar rolin e gruas në shoqërinë kosovare.

    Me një plan program prej 61 faqesh nëse kërkoni me termin gra, gratë e grave gjithsej mund të gjeni 18 raste ku flitet për gratë, gjegjësisht se çka do të bëhet për mirëqenien e tyre. Nëse kërkoni me fjalën ‘gratë’ iu shfaqen tri raste, nëse kërkoni me ‘grave’ gjeni shtatë teksa nëse kërkoni me ‘gra’ gjeni 8 gjetje.

    Ndër tjerash në plan program thuhet se Qeveria e Kosovës “Për të mbështetur fuqizimin ekonomik të grave dhe rritjen e punësimit, me fokus në të bërit biznes, do të zbatojmë masa aktive për punësimin e grave dhe masa mbështetëse për sigurimin e likuiditetit për bizneset që udhëhiqen nga gratë”.

    Masa aktive, hartim i politika kundër dhunës ndaj gruas janë disa prej termeve që përmenden në plan programin qeverisës, po sa po gjejnë zbatim e çka u bë për gratë që afro 2 vjet nga Qeveria Kurti për Insajderin ka dhënë intervistë zyrtarja e Partisë Socialdemokrate, Teutë Rrusta.

    A bëri diçka tjetër Qeveria Kurti për gratë përveç ndarjes së shtesave për lehonat, të punësuara e të pa punësuara me një shumë prej 170 eurove? Sipas Rrustës, qeveria nuk guxon të paguajë gratë për të bërë fëmijë.

    Ndër tjerash ajo thotë se veshja e grave me pushtet nuk po ka reflektim tek përmirësimi i kushteve të grave.

    Intervista e plotë me Teutë Rrustën:

    Insajderi: Lëvizja Vetëvendosje, partia në pushtet ka 22 gra deputete në Kuvendin e Kosovës teksa 6 gra janë ministre në Qeverinë Kurti. Nga këndvështrimi juaj a mund të na thoni si e keni parë pozitën e tyre, a janë thjeshtë emërime në pozita apo me të vërtetë këto gra në parti gjegjësisht në qeverinë kanë fuqinë për të marrë vendime? 

    Rrusta: Përfaqësimi dhe pjesëmarrja e grave në ekzekutiv ka rëndësi. Por tashmë e kemi tejkaluar këtë nivel. Ajo që po mbetët përherë e pa adresuar është mungesa e lidhjes në mes të grave me pushtet dhe shumicës së grave që sot jetojnë të varura ekonomikisht dhe të shtypura kulturalisht. Veshja e grave me pushtet nuk po ka reflektim tek përmirësimi i kushteve të grave, por më tepër po mbetët pushtet për veten e tyre.

    Insajderi: A ka mungesë të iniciativës nga gratë në pushtet që ta ndryshojnë për të mirë rolin, jetesën e gruas në shoqëri?

    Rrusta: Gratë në pushtet janë të pa interesuara. Ato janë të shkëputura nga nevojat e shtresave të nëpërkëmbura. Është një shpërputhje mes hapësirës që mund të krijosh kur ke institucione në udhëheqje, e sa në fakt bëhet. Kur je me pushtet ke mundësi prej që prej ndërhyrjes në diskurs, deri tek prodhimi i politikave. Ajo çka sot qeveria me aq shumë gra bënë është riprodhim i realitetit.

    Insajderi: Çka ka bërë deri tani Qeveria Kurti për gratë ose a ka bërë diçka që ja vlen të theksohet?

    Rrusta: Ndërtimi i çerdheve është një premtim i mirë, por i cila mbetet të shihet, për shkak se ende nuk ka filluar ndertimi, e bëhet fjala për 160. Gratë do të ishin shumë më të lira për realizimin e tyre si dhe do të fillonte ndryshimi i përceptimit të rolit të gruas, me detyrë parësore të qenurit nënë.

    Insajderi: A është fuqizuar roli e pozita e gruas në shoqëri që kur Kurti është në pushtet?

    Rrusta: Jo.

    Insajderi: Si e komentoni ndarjen e shtesave nga ana e qeverisë për gratë gjatë periudhës së lehonisë, pra bazuar në vendim të qeverisë gjegjësisht Ministrisë së Financave deklarohet se “ lehonat e papuna në 12 muajt e fundit do të përfitojnë mbështetje financiare 170 Euro për 6 muaj, ndërsa ato të punësuara do të përfitojnë mbështetje financiare 170 Euro për 3 muaj”.

    Rrusta: Kjo ka qenë një pikë kritike. Qeveria për nënat ka ritheksuar rolin që rendi patriarkal ka nda për gra. Shtesat ndahen për fëmijë, jo për nëna e baballarë. Në vend se thelbi të ishte tek kushtet e rritjes së fëmijës, këta e devijuan duke e bërë detyrë ekskluzive të nënës përkujdesen për fëmijën. Problemi i dytë me këtë është se stimulon natalitetin. Kjo është politikë nacionaliste. Këto korniza duhet refuzuar. Qeveria nuk guxon të paguaj gratë për lindje.

    Insajderi: Sipas jush, me këtë masë a është fuqizuar roli i gruas në shoqëri siç pretendon kryeministri Kurti përmes deklarimeve të tij?

    Rrusta: Kurti me këtë politikë e institucionalizon rolin e gruas si nënë. Avancimi i grave ka trajektore tjetër.

    Insajderi: Në planprogramin e qeverisë përmenden disa pika përmes të cilave synohet përmirësimi i mirëqenies, fuqizimi së gruas në shoqëri. Cila është analiza juaj sa i përket hapësirës, rëndësisë që i ka dhënë Qeveria Kurti gruas?

    Rrusta: Programi i qeverisës i Kurtit nuk ka vizion. Për asnjë kategori.

    Insajderi: Çka do të duhej të ndryshonte Qeveria Kurti që roli i gruas të jetë më i rëndësishëm se sa që është tani?

    Rrusta: Qeveria Kurti do të duhej ta ndërronte pikëpamjen për gruan. Le të fillojmë nga këtu.  

    Shtresat e shtypura duhet t’i ndërthurin problemet dhe të organizohen. Tashmë është e qartë që nuk mund të pritet nga Qeveria fuqizimi. Atë duhet bërë bashkë, ne.

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark