×
  • Lajme
  • Analiza

    INTERVITSË | Më shume se për sukseset – në 23 vjetorin e Policisë, Imer Zeqiri flet për sfidat, mungesën e Ligjit të Sigurimeve, Pensioneve…

    Insajderi
    17 September 2022 - 17:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Imer Zeqiri, kryetari i Sindikatës së Policisë të Republikës së Kosovës, në 23 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, në një intervistë për Gazetën Insajderi më shumë sesa për sukseset ka folur për sfidat e policëve.

    “Policia e Kosovës që nga themelimi e deri me tani punojnë pa sigurim shëndetësor dhe jetësorë, pa Ligj të Pagave, pa Ligjin për Pensionim dhe kur zyrtarët policorë përfundojnë karrierën e tyre në moshën 65 vjeçare marrin pension 100 euro e që ky është pension i pleqërisë siç e merr çdo qytetar që e arrin moshën 65 vjeçare”, tha Zeqiri për Gazetën Insajderi.

    Kryesindikalisti i Policisë i ka zbuluar edhe kërkesat specifike që policët i kanë për Ligjin e Pagave, i cili tashmë është proceduar për konsultime paraprake.

    Përveç këtyre Zeqiri ka treguar nëse tashmë është rregulluar çështja e pajisjes me uniforma, ajo e antiblumbëve pa afat, transporti për policët etj…

    Imer Zeqirin, kryetari i Sindikatës së Policisë të Republikës së Kosovës

    Intervista e plotë e Gazetës Insajderi me Imer Zeqirin, kryetarin e Sindikatës së Policisë të Republikës së Kosovës:

    Gazeta Insajderi: Ditë më parë Policia shënoi 23 vjetorin e themelimit. Cilat janë sukseset e Policisë për këto vite dhe ku e shihni në të ardhmen?

    Imer Zeqiri: Sukseset Policisë së Kosovës për 23 vite janë aq shumë sa që me një përgjigje të shkurt është e pa mundur të përfshihen të gjitha, po i përmendi disa: Profesionalizmi ka arrit në nivel të shteteve të zhvilluara, sukseset në punë janë të përditshme të cilat shihen dhe dëgjohen si operacionet e suksesshme të identifikimit, hetimit dhe arrestimit të grupeve kriminale, ruajta e rendit e qetësisë publike, mbrojta e integritetit shtetëror, mbrojtja e jetës dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe përgjigjja në çdo thirrje në 24 orë. Të gjitha këto bëhen duke rrezikuar jetën dhe shëndetin në çdo moment gjatë orarit të punës secili zyrtarë policor.

    E ardhmja e Policisë së Kosovës pritet të jenë shumë e mirë dhe dita ditës duke u avancuar me standardet të larta, por është e domosdoshme që Qeveria e Kosovës të rrit buxhetin për Policinë e Kosovës si dhe të bëjë hapa konkret për kushte më të mira në punë, pajisje më të sofistikuara dhe përmirësimin e mirëqenies së pjesëtarëve të policisë.

    Gazeta Insajderi: Me çfarë probleme është ballafaquar Policia gjatë gjithë këtyre viteve?

    Imer Zeqiri: Policia e Kosovës është ballafaquar me probleme të natyrave të ndryshme, si: gjatë ballafaqimit me grupe të ndryshme kriminale ku si pasojë  22 zyrtarë kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, 300 zyrtarë policorë kanë vdekur në detyrë, 426 zyrtarë janë lënduar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare e që disa prej tyre kanë mbetur me invaliditet të përhershëm, 237 zyrtarë policorë janë sëmurë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare dhe 528 zyrtarë i kemi me sëmundje kronike. Sa përket ballafaqimit me kushte tjera, Policia e Kosovës që nga themelimi e deri me tani punojnë pa sigurim shëndetësor dhe jetësorë, pa Ligj të Pagave, pa Ligjin për Pensionim dhe kur zyrtarët policorë përfundojnë karrierën e tyre në moshën 65 vjeçare marrin pension 100 euro e që ky është pension i pleqërisë siç e merr çdo qytetar që e arrin moshën 65 vjeçare. Mandej shpesh herë kanë munguar kushtet e punës si p.sh. ende punohet në stacione policore nga metali(kontinjer), mungojnë pajisjet logjistike si kompjuter dhe inventar tjetër, nuk kanë shujtë ditore, nuk ju paguhet udhëtimi atyre që udhëtojnë larg vendbanimit me përjashtim në disa relacione që është i rregulluar transporti por kohët e fundit edhe këto relacione të siguruara nuk janë kah funksionojnë. Qe disa vite (4-5 vite) ka mungesë të uniformave qoftë atyre zyrtare dhe civile.

    Gazeta Insajderi: Pavarësisht rrezikut në punë policët ende nuk kanë sigurime shëndetësore. Çfarë është duke u bërë në këtë drejtim?

    Imer Zeqiri: Sa i përket sigurimit shëndetësor, e thash edhe më lart se prej fillimit Policia e Kosovës është pa sigurim shëndetësor, kurse Sindikata e Policisë e ka adresuar një kërkesë me shkrim te Ministri i MPB-së ku kemi kërkuar pesë (5.000.000) milionë për një vit për të gjithë pjesëtarët e policisë për sigurim shëndetësor, kjo do të realizoj me një marrëveshje me një kompani private të sigurimeve, për këtë jemi në bisedime me Ministrin dhe shpresojmë se do të takohemi edhe me Kryeministrin dhe Ministrin e Financave që të marrim aprovimin e tyre. Ministri i MPB-së e përkrahë këtë ide.

    Gazeta Insajderi: Po për Ligjin e Pensioneve të parakohshme, a është diskutuar kohën e fundit nga institucionet ligjvënëse? Cilat janë informatat e fundit që ju keni?

    Imer Zeqiri: Për Ligjin e Pensionimit, është kërkesë e Sindikatës që ky ligj gjithqysh të dërgohet në Kuvend për miratim brenda këtij viti, edhe për këtë e kemi përkrahjen e Ministrin të MPB-së, por ka mbetur të bisedohet prapë dhe të fillojë proceduar e dërgimit në Kuvend.

    Gazeta Insajderi: Cilat janë kërkesat tuaja specifike për Ligjin e Pagave?

    Imer Zeqiri: Ligji i Pagave ende nuk ka dalë në diskutim publik, ne si Sindikatë do t’i kemi vërejtjet, komentet dhe kërkesat tona dhe do t’i dërgojmë në Ministri, po ashtu edhe do të diskutojmë me Qeverinë. Kërkesat tona specifike janë që në këtë Ligj, Policia e Kosovës me të gjithë punonjësit e saj, të trajtohet në mënyrë të veçantë sepse jemi institucioni i vetëm në vend që bëjmë sigurinë.

    Kërkesa tona specifike tani për tani janë: Të caktohet vlera e koeficientit, të kemi koeficient të barabarta me FSK-në, për rrezikshmëri të kemi shtesë në pagën bazë minimumi 40%, dallimi i koeficienteve në mes të gradave mos të jetë më shumë se një(1) koeficient, thjeshtë të bëhet një nivelizimi i koeficientëve, në këtë ligj të trajtohemi në rangun e FSK-së e jo siç e kanë cek në ligj me shërbyesit civilë sepse ne jemi institucion i centralizuar me strukturë dhe me zinxhir komandues (ushtarake), kurse stafi civil të trajtohet sikur stafi në Gjykata dhe Prokurori dhe të futet nën ombrellën e Policisë së Kosovës etj.

    Gazeta Insajderi: A mendoni se kërkesat tuaja do të përfshihen në Ligj?

    Imer Zeqiri: Ne shpresojmë se kërkesat tona do të merren para sysh dhe do të përfshihen në këtë Ligj sepse janë shumë të arsyeshme dhe ligjore.

    Gazeta Insajderi: Nëse kjo nuk ndodh, çfarë hapa do të ndërmerrni?

    Imer Zeqiri: Nëse nuk ndodh kjo, Sindikata e Policisë do të kërkojë takim për dialog.

    Gazeta Insajderi: A ka nisur furnizimi i policisë me pajisjet, uniformat e çizme pas bllokimeve të tenderëve për shkak të mungesës së bordit të OSHP-së?

    Imer Zeqiri: Ende nuk ka filluar furnizimi sepe Bordi i OSHP-së nuk ka dhënë ndonjë konfirmim për tenderët që i ka në shqyrtim.

    Gazeta Insajderi: A është zgjidhur çështja e antiplumbëve apo vazhdojnë policët t’i mbajnë ata me afat të skaduar?

    Imer Zeqiri: Puna e antiplumbëve, sipas informacioneve që i kam, është zgjidhur.

    Gazeta Insajderi: A është rregulluar çështja e transportit për të gjithë policët?

    Imer Zeqiri: Çështja e transporti ende nuk është zgjidhur për të gjithë policët.

    Gazeta Insajderi: Sa kanë ndikuar të gjithë këto mungesa në vështirësimin e punës së policëve?

    Imer Zeqiri: Punën policia e ka kryer dhe e kryen pavarësisht vështirësive, por sigurisht që ka ndikuar në mirëqenien dhe motivin për punë.

    Gazeta Insajderi: Sa është numri i policëve që e kanë lënë punën, pasi kanë marrë viza pune për jashtë vendit dhe sa prej tyre kanë lajmëruar se janë në pritje?

    Imer Zeqiri: Prej themelimit të Policisë e deri me tani, nga policia kanë dhënë dorëheqje vullnetare mbi njëmijë e njëqind (1100) pjesëtarë të policisë, informacionin se sa janë në pritje nuk e kemi.

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark