Inxhinierët e Apple nuk e kanë ndërmend t’i ndihmojnë qeverisë amerikane të kenë qasje në pajisjet e kompanisë së tyre, duke deklaruar se “më parë do të jepnim dorëheqjen sesa do të ndihmonim qeverinë”
Këto deklarata janë vazhdimësi e një lufte që ka nisur mes FBI-së dhe gjigantit teknologjik, Apple. Në të vërtetë, masakra e San Bernardinos në Kaliforni është kthyer në mollë sherri.
Brenda kompanisë Apple inxhinierët kanë diskutuar se kush mund dhe kush jo të ndërtojë “GovtOS”, softuerin që FBI i kërkon kompanisë që ta krijojë, duke marrë në konsideratë edhe inxhinierët që tashmë nuk janë pjesë e Apple.
Që prej shtatorit 2014 të gjitha të dhënat në pajisjet e Apple kodohen automatikisht dhe vetëm ai që ka kodin 4-shifror të telefonit do të mund t’i shohë, pra pronari i tij, njofton Top-Channel.
Nëse kodi futet dhjetë herë gabim, të dhënat fshihen automatikisht. Askush, as Apple, nuk është i aftë t’i shohë këto të dhëna, por FBI i kërkoi kompanisë që ta ndihmojë të shmang sigurinë duke modifikuar telefonin e Farook.