IPK mohon pretendimet e "Demokracisë Serbe" për fshehje të ankesave - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    IPK mohon pretendimet e “Demokracisë Serbe” për fshehje të ankesave

    Insajderi
    09 September 2025 - 17:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka hedhur poshtë si të pavërteta dhe tendencioze pretendimet e subjektit “Demokracia Serbe”, sipas të cilit gjoja janë fshehur mbi 30 ankesa të paraqitura nga ky subjekt.

    Në reagim, IPK ka theksuar se asnjë ankesë nuk fshihet dhe se çdo rast që pranohet regjistrohet zyrtarisht, trajtohet në përputhje me mandatin ligjor dhe hetohet në mënyrë profesionale, objektive dhe të pavarur, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, politike apo sociale të ankuesit.

    Sipas institucionit, zyra e IPK-së në Mitrovicën e Veriut funksionon rregullisht dhe është e hapur për të gjithë qytetarët. Vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025, nga kjo zyrë dhe nga objekti qendror në Hajvali janë pranuar dhe trajtuar 38 ankesa nga qytetarët e komunave veriore të Kosovës.

    “Për secilin rast të raportuar IPK ka ndërmarrë veprime hetimore konkrete bazuar në autorizimet ligjore, si dhe ka përcjellë në Prokuroritë kompetente rastet kur janë konstatuar elemente të veprës penale, ndërsa në rastet e dyshimeve për shkelje administrative janë përcjellë për trajtim disiplinor në Policinë e Kosovës”, thuhet në reagim.

    IPK ka theksuar gjithashtu se çdo palë njoftohet për statusin e ankesës së saj, përfshirë edhe subjektin “Demokracia Serbe”, i cili sipas IPK-së është informuar për të gjitha rastet e paraqitura.

    Me qëllim të rritjes së transparencës, IPK bën të ditur se ka zhvilluar takime të rregullta në Mitrovicën e Veriut me qytetarë, organizata të shoqërisë civile dhe përfaqësues vendorë e ndërkombëtarë, duke publikuar edhe raporte të veçanta mbi të gjeturat e hetimeve në pesë vitet e fundit.

    Lidhur me akuzat se ky institucion “mban anën e policisë”, IPK i ka quajtur ato të pabaza, duke theksuar se është një institucion i pavarur, multietnik dhe i mbështetur në standardet ndërkombëtare, që trajton me paanshmëri çdo rast dhe kërkon llogaridhënie nga Policia e Kosovës në bazë të mandatit ligjor.

    Në fund, IPK i ka inkurajuar të gjithë qytetarët, pa dallim komuniteti, të paraqesin ankesat e tyre pranë zyrave të këtij institucioni, duke siguruar opinionin publik se çdo rast trajtohet me seriozitet, profesionalizëm dhe paanshmëri.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark