
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur hetime preliminare ndaj dy zyrtarëve të Policisë së Kosovës, një nënkoloneli dhe një kapiteni, të cilët dyshohet se kanë ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar në një rast policor në Pejë.
Sipas IPK-së, hetimet janë iniciuar pas raportimeve në media lidhur me një incident të ndodhur më 28 maj 2025 në rrugën “Shpëtim Bojku”, ku një person ishte shoqëruar në stacionin policor pasi kishte penguar zyrtarët gjatë këqyrjes së një aksidenti trafiku. Nënkoloneli dhe kapiteni dyshohet se kanë ndikuar në trajtimin e rastit, duke mos e përcjellë për hetim dhe pa njoftuar Prokurorinë, siç kërkohet me procedura standarde.
“Incidenti fillestar raportohet të ketë ndodhur më 28.05.2025 kur disa zyrtarë policorë në Pejë ishin njoftuar për një aksident trafiku në rrugën “Shpëtim Bojku” dhe gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes kanë shoqëruar në stacion policor edhe një të dyshuar i cili nuk ishte përfshirë fare në aksident por që ka penguar zyrtarët policorë në realizimin e detyrave të tyre.
Nënkoloneli dhe kapiteni policor dyshohet se kanë ndërhyrë në këtë rast (shoqërimin e të dyshuarit në stacion) duke mos përcjellë rastin për hetim dhe nuk është njoftuar Prokuroria për rast (në kundërshtim me procedurat standarde të veprimit të policisë në raste të tilla), duke i shqiptuar të dyshuarit një tiketë për kundërvajtje për prishje të rendit dhe qetësisë publike”.
Në vend të procedurave penale, të dyshuarit i është shqiptuar vetëm një tiketë për kundërvajtje për prishje të rendit dhe qetësisë publike.
IPK ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve përderisa hetimet vazhdojnë në koordinim me Prokurorinë Themelore në Pejë. Sipas IPK-së, veprimet janë ndërmarrë për të ndriçuar të gjitha rrethanat e rastit dhe për të garantuar integritetin e procesit hetimor.