
Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e një zyrtari policor në Ferizaj, nën dyshimin se ka tejkaluar autorizimet gjatë arrestimit të një qytetari.
Ngjarja ka ndodhur para mesnatës, kur një veturë nuk iu bind urdhrit për t’u ndalur nga policia.
Pas ndjekjes, vetura u ndalua dhe u konstatua se brenda saj ishin tre persona.
Dyshohet se gjatë arrestimit, njëri prej tyre – drejtuesi i automjetit – është keqtrajtuar nga një polic dhe ka pësuar lëndime trupore, për të cilat ka marrë trajtim mjekësor. IPK ka nisur hetimet për rastin.
IPK tha se hetimet janë duke u zhvilluar në drejtim të veprave penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “Lëndimi i lehtë trupor” kurse pas konsultave me prokurorinë rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.
“Bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së dhe në interes të hetimit IPK ka rekomanduar suspendimin e këtij zyrtari policor. Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti”.