
Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) ka konfirmuar vrasjen e komandantit të lartë ushtarak Saeed Izadi në një sulm ajror izraelit, raportoi agjencia e lajmeve Tasnim, e afërt me IRGC, raporton BBC, përcjell Insajderi.
Izadi ishte një figurë kyçe në Forcën elitare Quds, degë e IRGC-së që operon jashtë kufijve të Iranit. Ai kishte një rol të rëndësishëm në koordinimin me Hamasin dhe grupet e tjera palestineze të armatosura.
Në deklaratën e IRGC-së nuk është specifikuar se kur dhe ku ka ndodhur vrasja e tij.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) njoftuan vdekjen e Izadit më 21 qershor dhe e akuzuan atë si një nga arkitektët e sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.
Saeed Izadi ishte vendosur nën sanksione nga Mbretëria e Bashkuar në vitin 2023 për shkak të “kërcënimeve të paprecedentë” nga Teherani ndaj sigurisë në Lindjen e Mesme dhe për përfshirje në plane për atentate në tokën britanike. SHBA e kishte sanksionuar që në vitin 2019, duke e akuzuar për financim të Hamasit me miliona dollarë.
Izadi ka qenë i pranishëm në takime të nivelit të lartë me drejtues të Hamasit dhe zyrtarë të tjerë iranianë, siç tregohet në një foto arkivore me ish-udhëheqësin e Hamasit, Ismail Haniyeh, dhe ish-shefin e ushtrisë iraniane, Mohammed Bagheri.