Irani në zi – Publikohen pamjet pas rrëzimit të helikopterit ku vdiq presidenti iranian – Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    Irani në zi – Publikohen pamjet pas rrëzimit të helikopterit ku vdiq presidenti iranian

    Insajderi
    20 May 2024 - 13:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, i ka shpallur pesë ditë zie pas gjetjes së trupave të presidentit, Ebrahim Raisi, dhe ministrit të Jashtëm, Hossein Amir-Abdollahian, në vendin ku u rrëzua një helikopter në veriperëndim të Iranit.

    Televizioni shtetëror i Iranit raportoi më 20 maj se helikopteri u rrëzua si pasojë e motit të lig. Është e paqartë se sa njerëz ndodheshin në bordin e helikopterit kur ai u rrëzua.

    Khamenei gjithashtu e emëroi zëvendëspresidentin e parë, Mohammad Mokhber, si president të përkohshëm. Ligji iranian thekson se, nëse vdes presidenti, atëherë pushteti i kalohet zëvendëspresidentit të parë.

    Një këshill, i përbërë nga kryetari i Parlamentit, kryetari i Gjyqësorit dhe nga zëvendëspresidenti i parë, duhet ta organizojë emërimin e presidentit të ri brenda 50 ditëve.

    Zëvendësministri i Jashtëm, Ali Bagheri, u emërua ministër i Jashtëm në detyrë, raportuan mediat shtetërore iraniane.

    Qeveritë e huaja, më 20 maj, shprehën ngushëllime dhe solidarizim. Libani shpalli tri ditë zie për të nderuar Raisin. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se Raisi dhe Amir-Abdollahian ishin të dy “miq të vërtetë dhe të besueshëm të vendit tonë”.

    Hamasi, i cili është cilësuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, lëshoi një telegram ngushëllimi dhe falënderoi Raisin për “përpjekjet e tij të palodhura për t’u solidarizuar” me popullin palestinez.

    Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, lëshoi një deklaratë me “ngushëllime të sinqerta”, duke shtuar “mendimet tona janë me familjet”.

    Ekipet e shpëtimit, të ndihmuara nga disa qeveri të huaja, bënë përpjekje të mëdha për ta gjetur helikopterin, i cili ishte rrëzuar si pasojë e gjendjes së keqe atmosferike në bjeshkët e vendit më 19 maj.

    Helikopteri i Raisit po kthehej nga qyteti Tabriz kur u rrëzua në afërsi të qytetit Jolfa. Televizioni shtetëror e kishte përshkruar si “ulje të vrazhdët”, por disa media raportuan, me burime qeveritare, se helikopteri u rrëzua derisa po e kalonte një zonë malore.

    Qeveria e Iranit tha se ai ishte njëri nga tre helikopterët që po fluturonin së bashku dhe se dy të tjerët ateruan në mënyrë të sigurt në Tabriz.

    Raisi dhe Amir-Abdollahian udhëtuan në Azerbajxhan më 19 maj, për ta përuruar një digë me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.

    Aliyev shkroi në rrjetin social X se Azerbajxhani u “shqetësua pafundësisht” nga lajmi për rrëzimin e helikopterit të Raisit.

    Raisi u zgjodh president më 2021 dhe prej atëherë i kishte ashpërsuar kufizimet ndaj iranianëve, përmes zbatimit të detyrueshëm të ligjeve të moralit dhe përmes një lufte të përgjakshme kundër protestave antiqeveritare, të cilat ishin nxitur nga vdekja e Mahsa Aminit në paraburgimin policor për gjoja shkeljen e ligjit për bartjen e shamisë së kokës.

    Ai kishte bërë përpjekje të mëdha në bisedimet bërthamore me fuqitë botërore, duke e lejuar vendin e vet që njëkohësisht ta rrisë dukshëm edhe programin e vet për uranium të pasuruar.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark