Irani ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po përpiqen të nxisin tensione në të gjithë Lindjen e Mesme përmes “Iranofobisë”, akuza që vjen një ditë pasi Joe Biden përfundoi turneun e tij të parë në rajon si president i SHBA.
“SHBA-ja po përpiqet edhe një herë të krijojë tensione dhe kriza në të gjithë rajonin duke u mbështetur në politikën e dështuar të Iranofobisë”, tha në një deklaratë të dielën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kanani, raporton Al Jazeera, transmeton Express.
Deklarata thoshte se SHBA ishte “vendi i parë që vendosi një bombë bërthamore, se ndërhyn vazhdimisht në punët e vendeve të tjera, ka nisur konflikte të armatosura dhe ka shitur sasi masive armësh në të gjithë rajonin”.
Duke iu referuar mbështetjes së vazhdueshme të Uashingtonit për armikun kryesor të Iranit, Izraelin, Kanani tha se SHBA-ja ishte “ndihma kryesore për pushtimin e vazhdueshëm në tokat palestineze, krimet e përditshme të regjimit kundër palestinezëve dhe aparteidin”, pretendoi ai.