Pasojat e planeve të Donald Trump për t’i pezulluar vizat qytetarëve nga shtatë vende të Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore, përfshirë këtu Iranin, kanë nisur të ndihen që tani.
Agjencitë e udhëtimit në enklavën iraniano-amerikane në Los Anxheles janë të parat e përballura me peshën e këtij vendimi, për të cilin thonë se do t’u vështirësojë jetën dhe biznesin.
“Kjo ka për të qenë shumë e vështirë, si për komunitetin iranian në Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe njerëzit që jetojnë në Iran e që kanë të afërm këtu. Ata nuk do të lëvizin dot. Edhe nëse do të duan të vijnë e të takojnë familjarët, do ta kenë të pamundur. Vetëm sot kemi pasur 5 anullime për shkak të këtij njoftimi”, thotë Mike Amiri, pronar i “Amiri Tours”.
Biznesmeni Trump i shndërruar në politikan duket i vendosur të dallojë nga parardhësit e tij, duke vënë në jetë çdo premtim të fushatës.
Në mesin e lëvizjeve tejet polemizuese të presidentit të ri do të jetë dhe nënshkrimi i urdhrave ekzekutivë që bllokojnë vizat për shtetasit nga Siria, Iraku, Irani, Libia, Somalia, Sudani dhe Jemeni.
“Po e vuajmë shumë këtë lajm. Kjo për ne do të thotë ndërprerje të biznesit me Iranin”, thotë Farhad Besharati, nga agjencia e udhëtimit “ATT Vacation”.
Trump pritet të urdhërojë ndalimin e përkohshëm të hyrjes së refugjatëve në Shtetet e Bashkuara, ku do të bëhen përjashtime vetëm për minoritetet fetare që i largohen persekutimit.