Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni dhe Jeta Statovci, në cilësinë e anëtarëve të grupit punues në kuadër të Komisionit Parlementar për Ekonomi, vizituan para gjashtë ditësh Telekomin e Kosovës. Qëllimi i vizitës ishte t’i përgëzonin Telekomin në “respektimin e Ligjit për Ndërmarrje Publike”. Ata u pritën pos të tjerëve edhe nga anëtarë të bordit të drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje, të cilëve iu ka skaduar mandati tash e dy muaj, gjë që bie në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.
Në një komunikatë që Telekomi ua dërgoi punonjësve të saj, të cilën e ka parë Insajderi, njoftohej për një vizitë nga dy deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje. Bëhej fjalë për Driton Hysenin dhe Jeta Statovcin, anëtarë të Komisionit Parlamentar për Ekonomi.
Hyseni citohej duke thënë se si komision parlamentar “janë të lumtur që Telekomi i Kosovës po ecë në rrugë të mbarë, si në respektimin e ligjit për ndërmarrjet publike, ashtu edhe drejt investimeve teknologjike në ofrimin e shërbimeve sa më cilësore”.
Komunikata njoftonte se në takim ishin menaxhmenti i lartë i Telekomit të Kosovës, ku ishte edhe kryeshefja ekzekutive Burbuqe Hana. Pos saj, njoftohej se pjesë e takimit ishin edhe anëtarët e bordit drejtues të ndërmarrjes publike. Kjo dëshmohej edhe në fotografitë e bashkëngjitura në komunikatë.
Pjesë e takimit ishin anëtarët e bordit, të cilëve veçse iu ka skaduar mandati tash e dy muaj. Pra, në takim përkrah kryeshefes Hana shihen Shpëtim Dobra, kryesues i bordit dhe Sajnie Thaçi, anëtare e bordit.
Kjo bie ndesh me nenin 8 të Ligjit për Ndërmarrjet publike, i cili parasheh se “secili drejtor i zgjedhur shërben në mandat prej tri viteve”.
Se mandati i tyre zgjat për tri vite, e dëshmon edhe vendimi i Qeverisë. Në vendimin e Qeverisë së datës 21 prill 2021, thuhet se Shpëtim Dobra, Sajnie Thaçi, Mimoza Vila, Florina Jerliu, Agim Muçaj e Remzi Ahmeti janë zgjedhur në mandat prej tri vitesh, ku i referohen Ligjit për Ndërmarrje Publike.
Qeveria Kurti është në proces të intervistimit me gojë të kandidatëve për anëtarë të bordit të drejtorëve të Telekomit. Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë listën e ngushtë të kandidatëve, ku janë edhe anëtarët e lartpërmendur.
Në mesin e shumë donatorëve që mundësuan financimin e VV’së për fitoren e 50 për qindëshit edhe Sajmie Thaçi.
Ajo kishte dhënë 20 euro donacion për partinë e Albin Kurtit më 10 shkurt të 2021-ës, disa ditë përpara “fitores së madhe”. /Insajderi.org/