Profesori i Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd, Ivo Viskoviq, ka deklaruar për revistën serbe NIN se “ishte një befasi që presidenti i SHBA Joseph Biden ngriti çështjen e Kosovës në bisedën e tij të parë me kancelaren gjermane Angela Merkel”.
“Kam frikë se kjo tregon qëndrimin e tij se kjo çështje duhet të zgjidhet përfundimisht dhe se Serbia duhet të pranojë një zgjidhje që i përshtatet perëndimit, dhe jo domosdoshmërisht vetë Serbisë”,ka thënë për NIN Viskoviq, i cili gjithashtu ka qenë ambasador i Serbisë në Gjermani.
Viskoviq ka thënë se mendon se në zgjidhjen e kësaj çështje, ata do të kenë më shumë mirëkuptim për Kosovën sesa për interesat serbe.
“Askush në Serbi nuk është i gatshëm të pranojë një akt të tillë me të cilin Serbia do të pranonte pavarësinë e Kosovës, megjithëse, kam frikë se duhet të pranohet situata faktike në mënyrë që jeta të vazhdojë normalisht”, ka pranuar Viskoviq./Insajderi.org.