
Bashkëpunëtorët e ngushtë të Dr. Bujar Bukoshit, të cilët patën fatin ta njohin dhe të punojnë me të, kanë shprehur dhimbjen dhe pikëllimin e thellë për ndarjen e tij nga jeta përmes një letre të përbashkët.
Në këtë letër, personalitete të njohura si Aleksandër Meksi, Isa Mustafa, Alfred Serreqi, Ilaz Ramajli, Xhezair Zaganjori, Enver Hasani, Zef Mazi, Muhamet Bicaj, Genc Pollo, Avdyl Krasniqi, Arian Starova, Halit Muharemi, Mehill Marku, Ferit Hoxha, Esat Myftari, Artur Kuko, Isa Zymberi, Roland Bimo, Beqir Menzelxhiu, Sokol Neçaj, Myftar Doci, Besnik Berisha dhe Albert Bejo, e vlerësojnë Dr. Bukoshin si një nga themeluesit kryesorë të shtetësisë së Kosovës, përkrah Presidentit Ibrahim Rugova.
Ata e përshkruajnë si një burrështetas me parime të palëkundura, simbol të përpjekjeve për liri, dinjitet dhe vetëvendosje.
“Gjatë kohëve më të vështira për Kosovën, Dr. Bukoshi qëndroi i vendosur dhe i palëkundur në rrugën drejt drejtësisë dhe lirisë. Me guxim dhe dinjitet, ai u bë zëri i fuqishëm i rezistencës, mbrojtës i të drejtave të njeriut dhe përfaqësues i ndërgjegjes politike shqiptare kundër regjimit shtypës të Millosheviçit,” thuhet në letër.
Letra e plotë:
Nderim i përjetshëm ish-Kryeministrit Dr. Bujar Bukoshi – misionarit te lirise, patriotit te paepur, një nga vizionarët e themeluesit e pavarësisë së Kosovës, ndër personalitetet më të rëndësishëm të historisë sonë moderne Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Kryeministrit të parë të Republikës së Kosovës, Dr. Bujar Bukoshi – një ndër themeluesit e shtetësisë së Kosovës perkrah Presidentit Rugova, burrështetas me parime të palëkundura dhe simbol i përpjekjes kombëtare për liri, dinjitet dhe vetëvendosje, së fundi edhe Zv/Kryeministër në qeverinë Thaçi. Në kohët më të rënda ekzistenciale për Kosovën, Dr. Bukoshi qëndroi i palëkundur në rrugën e drejtësisë dhe lirisë, duke shërbyer me dinjitet e guxim të pashoq, u bë zëri i fuqishëm i rezistencës, avokat i palodhur i të drejtave të njeriut. Ai mishëroi si rrallëkush ndërgjegjen politike të qëndresës shqiptare kundër regjimit shtypës të Millosheviçit. Në tërë veprimtarinë e tij, Dr. Bukoshi përfaqësonte modelin e burrështetasit që e shihte funksionin si përgjegjësi të madhe dhe jo si privilegj.
Me vizion të qartë dhe vendosmëri të patundur, ai lidhi Kosovën me aleatët ndërkombëtarë dhe kontribuoi në themelimin e aleancës historike me Perëndimin duke vënë themelet për çlirimin dhe ndërtimin e shtetit të lirë e demokratik të Kosovës. Kontributi i tij si kryeminister në mbështetjen e strukturave shtetformuese ishte jetik dhe do të mbetet pjesë e lavdishme e historisë së Kosovës dhe kombit shqiptar. Në kohëra e rrethana sfiduese, ne patëm nderin të bashkëpunonin ngushtë me këtë udhëheqës të drejtë e të ditur, të guximshëm e vizionar, po edhe të njihnim e të ndanim miqësinë me një njeri me mendim të pavarur, ndershmëri shembullore dhe qartësi të thellë morale, i cili, me veprën dhe aktivitetin e tij u bë simbol i shpresës, kurajos e frymëzimit që shqiptarët të merrnin fatin në duart e tyre për të fituar lirinë. Sot, shqiptaria humbi një ndër bijtë më të ndritur. Por kujtimi për të do të jetojë në zemrat e kujtdo që e ndeshi në rrugën drejt Kosovës së lirë e të pavarur e të cilës ai i kushtoi jetën me përkushtim të rrallë. I shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes Bukoshi, miqve të tij, qytetarëve të Kosovës dhe gjithë popullit shqiptar.