Në prag të përfundimit të mandatit të qeverisë aktuale dhe me zgjedhjet e ardhshme të planifikuara për më 9 shkurt 2025, ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, ka ofruar një analizë kritike mbi performancën e ekzekutivit të tanishëm.
Humolli ka shprehur shqetësimin e tij për dështimet e qeverisjes dhe për ndikimin e tyre në situatën e përgjithshme të vendit.
Humolli e ka cilësuar qeverisjen aktuale si të dobët, duke akuzuar atë se nuk ka ditur ose nuk ka pasur vullnetin për të shfrytëzuar mundësitë e dhëna për të përparuar zhvillimin e Kosovës.
“Qeverisja ka qenë e dobët, nuk ka ditur apo nuk ka dashur të shfrytëzojë mundësitë për të përparuar vendin”, tha Humolli
Ai ka kritikuar ashpër mënyrën se si qeveria ka menaxhuar marrëdhëniet me disa kategori të rëndësishme të shoqërisë, përfshirë punëtorët e arsimit, sigurisë dhe ndërtimit, si dhe veteranët e luftës. Sipas tij, këto konflikte të panevojshme kanë krijuar një atmosferë të tensionuar dhe kanë penguar përparimin e vendit.
“Ka pasur konflikte të panevojshme me punëtorët e arsimit, me punëtorët e sigurisë së vendit, dhe me ata që po ndërtojnë vendin. Gjithashtu, ka pasur konflikte të panevojshme me veteranët e luftës dhe me Republikën e Shqipërisë”, deklaron ai për FrontOnline.
Dështimi i Qeverisë në sektorin e ekonomisë
Në veçanti, Humolli ka theksuar se këto mosmarrëveshje kanë kontribuar në dobësimin e pozitës së Kosovës përballë Serbisë dhe mbështetësve të saj ndërkombëtarë. Ai ka shprehur shqetësimin se një qeverisje e tillë ka ecur mbrapa në arritjen e objektivave strategjike dhe ka ndikuar negativisht në marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës.
“Këto konflikte e kanë bërë Kosovën të pa fuqishme përballë Serbisë dhe miqve të Serbisë në botë”, u shpreh ish deputeti i VV-së
Në aspektin ekonomik, Humolli ka shprehur një shqetësim të thellë për dështimin e qeverisë në krijimin e një banke shtetërore, e cila do të kishte ndihmuar në menaxhimin më efikas të pasurive dhe financave të vendit.
“Në ekonomi, është një dështim i plotë me mos krijimin e bankës shtetërore, që ka bërë të mundur që paratë e qytetarëve tanë të dalin jashtë shtetit, mbi një miliard e gjysmë euro të Trustit Pensional, ndërsa ne kemi nevojë të marrim kredi nga bota apo të presim ndihmë nga ajo”, potencoi Humolli.