Ish-drejtori i KEK-ut, Njazi Thaçi ka thënë se nëse riparohet blloku i “Kosova B” në kohën e duhur at’herë dimri do të jetë më i përballueshëm.
Ai shprehet se në planin afat-shkurtër, Kosova nuk mund të ketë zgjidhje tjetër përveçse punimeve në blloqe, kurse, prishjet apo daljet e tyre nga sistemi, mund të ndodhin për shkak të vjetërsisë.
“Zakonisht, njësitë e termocentraleve në remont shkojnë deri në shtator apo tetor, për shkak se dimrit në temperatura të ulëta është i pamundur riparimi për shkaqe teknike dhe vjetërsisë së tyre,” tha ai për REL.
Korporata Energjetike e Kosovës operon me dy termocentrale në Obiliq, të cilat prodhojnë energjinë nga thëngjilli – Termocentrali “Kosova A” dhe “Kosova B”.
Termocentrali “Kosova A” përbëhet nga pesë blloqe punuese. Blloku i parë ka filluar punën në vitin 1962.
Por, ky termocentral gati që një dekadë operon me vetëm tri blloqe.
Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se aktualisht në prodhim janë dy blloqe nga “Kosova A”, edhe një bllok i ”Kosovës B”.
Ndërkohë, blloku tjetër i “Kosovës B” është në riparim dhe puna pritet të përfundojë më 26 gusht 2022.
Kriza energjetike, e cila kërcënon Evropën, e rrjedhimisht edhe Kosovën, është pasojë e çmimeve të larta dhe jostaabile të energjisë në bursat ndërkombëtare.
Ngritja e çmimeve, fillimisht nisi si pasojë e pandemisë së koronavirusit, ndërkaq hovin më të madh të ngritjes e mori pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, më 24 shkurt të këtij viti.
Çmimi i lartë i energjisë në tregje ndërkombëtare ka shtyrë KEDS–in që më 9 gusht të kërkojë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE), rritje të tarifave të energjisë elektrike.
Vendimi nuk është marrë ende.
Një rritje e faturave të energjisë – për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 megavat – veçse është bërë në muajin shkurt të këtij viti.