×
  • Lajme
  • Insajderi

    Ish-gjyqtari i EULEX-it, i shkruan Kurtit, kërkon të raportojë për skandalet e këtij misioni

    Insajderi
    08 June 2021 - 14:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, i ka shkruar një letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me anë të së cilës i ka kërkuar që t’i mundësohet raportimi në Kuvend për ato që ai i cilëson skandale të misionit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë.

    Vehbi Kajtazi e Njomza Salihi

    Ish-gjyqtari i Eulexit, Malcolm Simmons, po insiston që të vijë në Kosovë për të raportuar për skandalet e misionit evropian për sundim të ligjit.

    Kërkësën e fundit e ka adresuar tek kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Dy ditë më parë, më 6 qershor, i ka shkruar një letër me anë të së cilës ia ka sqaruar arsyet se pse deputetët e Kuvendit të Kosovës, duhet të jenë të informuar për skandalet e misionit, pjesë e të cilit ka qenë ai.

    Simmons, në këtë letër ka njoftuar Kurtin se tash e disa muaj e ka ftuar Kuvendin e Kosovës ta kryej një hetim parlamentar publik për administrimin e drejtësisë në Kosovë nga Misioni Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX.

    Letrën e Simmons, e ka siguruar Insajderi.

    “Unë besoj që ju do të pajtoheni se deklarata ime ngrit çështje brengosëse dhe serioze të cilat kërkojnë një hetim të plotë dhe publik nga Kuvendi i Kosovës”, thuhet ndër të tjera në këtë letër.

    Ai e lutë Kurtin që të mos i besojë Bashkimit Evropian, sepse sipas tij, misioni i EULEX-it ka qenë në shërbim të interesave politike të lidhura me Serbinë.

    Simmons tutje shkruan se pavarësisht që ekzistojnë rekomandime se Kuvendi i Kosovës nuk ka të drejtë të kryej hetime në lidhje me administrimin e drejtësisë në Kosovë nga EULEX-i, sipas tij një gjë e tillë nuk është korrekte, sepse thotë që “Kosova është shtet sovran dhe është vet përgjegjëse për administrimin e drejtësisë në Kosovë”.

    Gjyqtari londinez në letrën e tij drejtuar kryeministrit të vendit, tregon se nga viti 2008 deri në 2017 ka shërbyer si gjyqtar i Kosovës nëpër Gjykatat e shtetit, ndërsa nga 2014 deri në 2017 ka qenë Kryetar i Gjyqtarëve të EULEX-it.

    “Unë kam qenë i përfshirë në administrimin e drejtësisë në Kosovë. Në lëndët të cilat unë dhe kolegët e mi i kemi gjykuar si kryetar të trupit gjykues kanë përfshirë qytetarët e Kosovës ose/dhe veprat penale të kryera në Kosovë. Është me rëndësi se gjyqtarët e EULEX-it kanë administruar me drejtësinë në emër të popullit të Kosovës. Prandaj unë mendoj se qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të kërkojnë përgjigje se si është administruar drejtësia në emër të tyre nga ana e EULEX-it”, shkruan në letrën e Simmons, të cilën e posedon Gazeta Insajderi.

    Ai thotë se dështimi i Kuvendit të hetojë këto çështje do t’i shërbente dëmtimit të mëtutjeshëm të drejtësisë dhe sundimit të ligjit në Kosovë.

    “EULEX është mision politik që maskohet si një mision mbi sundimin e ligjit. Këtë mision e ka ftuar populli i Kosovës për të ndihmuar në reformat e administrimit të drejtësisë. Në vend të promovimit të drejtësisë dhe sundimit të ligjit, EULEX-i e ka dëmtuar sundimin e ligjit dhe ka manipuluar me procesin gjyqësor për të arritur objektivat politike”, shkruan Simmons.

    Simmons, thotë se qëllimi i tij nuk është të zbulojë informata në lidhje me hetimet penale që janë duke u zhvilluar ose ta shpalosë identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur, por të tregojë të vërtetën për këtë mision.

    “Unë nuk kam qëllim të lëshojë ndonjë dokumentacion që është i klasifikuar si dokument “i kufizuar i UE”, thotë ai, teksa tregon se është i gatshëm të bashkëpunojë me Kuvendin e Kosovës dhe t’i dorëzojë çfarëdo materiali që është relevant për hetimin që mund ta bëjë institucioni ligjvënës i vendit.

    Gazeta Insajderi i ka shkruar Zyrës së Kryeministrit për ta pyetur nëse e ka pranuar letrën e ish-gjyqtarit të EULEX-it, por ende nuk ka marrë një përgjigje nga kabineti i Albin Kurtit.

    Simmons dhe kërkesat e tij për hetim të EULEX-it nga Kuvendi

    Ish-kryegjyqtari i misionit për sundimin e ligjit të BE-së në Kosovë, Malcolm Simmons, edhe gjatë 2020 pati thënë se dëshiron të informojë parlamentin e Kosovës për shkeljet që ai pretendon se i pa gjatë kohës që ishte në detyrë.

    Edhe një korrik të vitit të kaluar Simnos kishte shkruar një letër për Kuvendin e Kosovës, gjë e cila ishte diskutuar në Komisionin Parlamentar për Legjislacionin.

    Sipas letrës, Simmons kishte qenë disa herë dëshmitar sjelljesh të gabuara që do të dëshmonin se individë përgjegjës për administrimin e drejtësisë ndërhynin në mënyrë të paligjshme në drejtësinë në Kosovë.

    Ai kishte thënë se do të jepte dëshmi në lidhje me çështje që përfshinin “ndërhyrjen në hetimet penale; kërcënimet të bëra ndaj dëshmitarëve të mbrojtur, nxitje të dëshmitarëve të mbrojtur, manipulim të paneleve gjyqësore, përpjekje për të ndërhyrë në gjykime penale, fshehje provash, manipulim provash, fshehje të provave për kryerjen e veprave penale, përpjekje për të penguar hetimet penale, hyrje të paligjshme në postat elektronike private, pengim të hetimeve, pengim të drejtësisë, ndërhyrje në çështjet penale për objektiva të mëtejshëm politikë”, thuhej në letër.

    Deputetët kishin vendosur që për të gjitha këto pretendime ai të raportonte para tyre në janar të këtij viti, por raportimi nuk kishte ndodhur për shkak të shpërndarjes së Kuvendit dhe zgjedhjeve të jashtëzakonshme që ishin mbajtur më 14 shkurt.

    Simmons nuk është ndalur. Ai, një kërkesë për raportim para Komisionit për Legjislacion e ka bërë sërish para dy muajve.

    Kryetari i Komisioni për Legjislacion, Adnan Rrustemi, pati bërë të ditur se në mbledhjet e ardhshme do të vendosnin për një datë kur do ta dëgjonin dëshminë e ish-gjyqtarit të EULEX-it, shkruan Gazeta Insajderi.

    Pavarësisht insistimit të Simmons, raportimi i tij para deputetëve të Kuvendit ende nuk ka ndodhur.

    Simmons pati dhënë dorëheqje papritur si gjyqtar në vitin 2017 pasi u emërua në 2014. Ai më pas pati bërë një sërë akuzash kundër EULEX-it.

    Dy vjet më parë, Insajderi raportoi në një seri shkrimesh për skandalet e EULEX-it. Në këtë seri shkrimeshtë Insajderit, Simmons, akuzonte EULEX-in për korrupsion, ndërhyrje politike, presion dhe kërcënime për largim nga puna të gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk u nënshtroheshin urdhrave politikë.

    Në një padi të këtij gjyqtari pretendohej se të paktën në dy raste kanë pasur urdhra për të dënuar njerëz të cilët konsideroheshin problematik në raport me bisedimet e Kosovës me Serbisë.

    Ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve, Malcolm Simmons, kishte paditur drejtuesit më të lartë të EULEX-it, dhe ka hedhur shumë dyshime me prova se ky mision ka qenë gjithçka tjetër pos, mision i drejtësisë.

    Mes të paditurve janë Mats Mattson, Gerrit Sprenger dhe Charles Smith. Smith, aktualisht është gjyqtar në Gjykatën Speciale.

    Akuzon EULEX-in dhe një numër drejtuesish të këtij misioni se i kishin montuar tri raste hetimore disiplinore, për ta ndëshkuar për shkak se nuk ishte pajtuar me mënyrën se si po i qaseshin drejtësisë eprorët e tij.

    Të tria këto raste ai i ka fituar.

    Simmons, madje pretendon se Shërbimin Sekret Polak, ia kishte thyer e-mailit private duke ia marrë materialet. Me anë të atyre e-maileve, Simonns njoftonte Qeverinë e tij në Londër, dhe ish-ambasadorin në Kosovë, Ruairi O’Connel, për të gjitha këto shkelje që po bëheshin.

    Por, Simonns nuk kishte marrë përkrahje, as nga Qeveria e tij e as nga ish-ambasadori O’Connel, i cili për kohë të gjatë në Kosovë kishte reaguar vazhdimisht për raste korrupsionin që po ndodhnin në sistemin e drejtësisë së Kosovës.

    Për EULEX-in, ai kishte zgjedhur të heshtte.

    Në këtë padi të gjatë ai ka bashkëngjitur prova dhe fakte të ndërhyrjeve dhe shkeljeve brenda misionit për sundim të ligjit. Madje, ka rikthyer edhe rastin e prokurores britanike, Maria Bamieh, cila ishte përndjekur nga misioni për shkak të akuzave që kishte bërë për korrupsion.

    Simmons, zbulon se si edhe gjyqtarë ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese, paguheshin dhe merrnin meditje pa punuar fare. Një gjyqtare, paguhej në Kosovë, derisa punonte në të zezë në Gjeorgji si konsulente.

     “Në vitin 2013, para emërimit tim si kryetar i gjyqtarëve të EULEX-it, unë isha kryetar i trupit gjykues në një lëndë të njohur si ‘Kleçka’. Kjo ishte një lëndë e krimit të luftës me dhjetë të pandehur që përfshinin një politikan, Fatmir Limaj”, shkruan Simmons në padi. “Kleçka ishte një rast i rëndësishëm për Misionin. Akuzat përfshinin tortura dhe vrasje të të burgosurve të luftës serbë dhe civilë shqiptarë. EULEX-i që ndoqi penalisht këtë rast ishte i rëndësishëm për angazhimin e vazhdueshëm të Serbisë në Dialogun Beograd-Prishtinë”, pretendon ai.

    Ish-gjyqtari Simmons, thotë se Kleçka ishte një lëndë e profilit të lartë në të cilën Misioni kishte investuar një sasi të konsiderueshme energjie dhe parash.

    “Misioni ishte i vendosur që Fatmir Limaj të dënohej dhe, më e rëndësishmja, të hiqej nga jeta politike. Gjatë një takimi në fillim të janarit 2013 me Mats Mattson, (zëvendëshef i EULEX-it v.j.) ai më tha se Misioni e donte Limajn të dënuar dhe se kjo ishte e rëndësishme për dialogun Prishtinë-Beograd”, pretendon ai. “Misioni duhej të bindte Serbinë se ai thjesht nuk përfaqësonte interesat e shqiptarëve të Kosovës”.

    Ai shpjegon se Limaj dhe të tjerët ishin shpallur të pafajshëm nga një kolegj gjyqësor i drejtuar nga një gjyqtar britanik.

    Sipas tij, gjyqtari gjeti se nuk ka se kishte prova të pamjaftueshme kundër të pandehurit (çështja mbështetej tërësisht në provat e një burri me një histori të sëmundjes mendore, provat e të cilit ishin në kundërshtim me provat mjeko-ligjore dhe dëshmitë e dëshmitarëve të tjerë dhe i cili kishte vdekur para seancës gjyqësore).

    Ai akuzon ish-nënkryetarin e Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Gerrit Sprenger, se menjëherë kishte shprehur pakënaqësi me vendimin për lirim nga akuza të Fatmir Limajt.

    Pos kësaj, ai shpjegon se rastin shkoi në Apel, derisa Sprenger, që ishte i pakënaqur me vendimin për lirim, e kishte caktuar vetën në pozitën e kryetarit të trupit gjykues.

    Kësisoj, lënda ishte kryer në rigjykim.

    E-mailet që dëshmojnë ndërhyrjet politike

    “Rëndësia politike e këtij rasti për Misionin u nënvizua përsëri në një email që më ishte dërguar mua më 29 janar 2013 nga Kryetari i atëhershëm i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Charles Smith, në të cilin ai më kishte kërkuar që të rendisja çështjen sa më shpejt sa të jetë e mundur për, siç i përshkroi ai, ‘një numër arsyesh, shumica prej tyre politike’”, Simmons.

    Ish-gjyqtari Simmons, tregon se pas emërimit të tij si kryetar i trupit gjykues në vitin 2013, Charles Smith e kishte njoftuar se Misionit “akoma i duhej që të përvjelë mëngët” në rezultatin e çështjes.

    “Ai tha se Misioni ‘priste t’i shpallte të dënuar’, nënvizonte ai në padi.

    Madje, Simmons pretendon se Smith, i kishte thënë se puna e tij mund të ishte në rrezik nëse të pandehurit nuk do të dënoheshin.

    “I raportova këto ngjarje te Shefi i Divizionit Ekzekutiv të EULEX-it, Mats Mattson. Mats pati refuzuar të ndërmarrë ndonjë veprim. Ai gjithashtu më sugjeroi që karriera ime brenda EULEX-it dhe BE-së do të komprometohej seriozisht nëse unë e ndjek çështjen”, shton Simmons.

    Charles Smith, aktualisht është gjyqtar në Gjykatën Speciale, e cila pritet të gjykojë rastet e krimeve në periudhën kohore 1998 – 2000. Gjyqtari Charles L. Smith është i vetmi amerikan që është zgjedhur për të qenë njëri nga 19 gjyqtarët në Gjykatën Speciale që do të gjykojë krimet e kryera në Kosovë.

    Mes rasteve të manipuluara sipas tij, ishte edhe ai i “Grupit të Drenicës”, të cilëve gjyqtarët e EULEX-it i referoheshin si kafshë që duhej zbutur./Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark