Gazeta Insajderi ditë më parë ka raportuar se si Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka minimizuar një rast të publikimit të përmbajtjeve eksplicite të një vajze nga një i dyshuar nëpër rrjetet sociale. Nga burime përbrenda policisë Insajderi kishte mësuar se i dyshuari në vazhdimësi ka shantazhuar vajzën, i ka kërkuar fotografi dhe video intime. Madje ai dyshohet se e ka kërcënuar viktimën me fjalët “nëse nuk më dërgon fotografi dhe video do t’i tregoj babës”. Përkundër këtyre akuzave i pandehuri vazhdon të jetë i lirë. Gazeta Insajderi sjell rrëfimin e viktimës.
Sipas deklaratës së viktimës në Polici, dyshja kanë qenë në lidhje që nga qershori i vitit 2022 e deri në dhjetor të vitit 2023. Sipas saj, deri në vitin 2023 lidhja ju ka ecë mirë. Por nga muaji shkurt i dyshuari ka filluar t’i kërkojë foto e video intime, e pastaj e ka shantazhuar përmes tyre.
Në deklaratën e saj, viktima rrëfen se i dyshuari përmes kërcënimeve i kishte kërkuar edhe para. Jo vetëm shantazhime e kërcënime, ajo ka rrëfyer se ka pasur edhe dhunë fizike nga ai.
Çka kishte deklaruar viktima në Polici lidhur me shantazhet e kërcënimet që ia kishte bërë i dyshuari?
“Unë gjatë kohës që kam qenë në lidhje me (të dyshuarin) prej datës 06.06.2022 deri 14.12. 2023, unë kohe pas kohe kam pasur presion prej tij, deri në muajin shkurt të vitit 2023 lidhja jone ka qene e mirë dhe nuk kemi pasur probleme, ndërsa nga muaji shkurt (i dyshuari) ka filluar të më kërkojë që ti dërgoj video intime duke më thënë se nëse nuk i dërgon unë do ti tregoj babit tend që ne jemi në lidhje.
Pastaj unë jam detyruar që ti bej ato veprime pasi që kisha frikë mos po e marrin vesh familjarët e mijë dhe datën saktë nuk e di, por nga muaji prill i vitit 2023 deri në muajin dhjetor të po të njëjtit vit unë dërguar foto dhe video. Ndërsa nga muaji prill që kur kam dërguar videon e parë ka filluar duke më bërë presion, duke me ndaluar që të dal, duke më ndaluar që te flas me njerëz të tjerë, madje ka pas rast kur ai edhe ka përdorur dhune ndaj meje”.
Viktima rrëfen se i dyshuari kishte ushtruar edhe dhunë fizike ndaj saj.
“E mbaj mend se në muajin shtator të vitit 2023, kur ka filluar shkolla kemi shkuar në lokalin… kemi qenë vetëm ne të dy lartë në katin e dytë të lokalit, i njëjti pas një fjalosje pasi që unë nuk iu binda me vepruar ashtu siç donte ai më ka goditë me shuplakë në fytyrë si dhe e mbaj mend që me ka kap për gjoksi për të cilën kam edhe foto nga shenjat që më ka shkaktuar. Këtë veprim e ka përsërit i njëjti për një jave po thuajse çdo ditë në po të njëjtin vend.
Pas kësaj ne me nuk kemi shkuar në atë lokal. Por kur ndodhke që jemi parë (zakonisht në stacion të autobuseve), nëse pak i’a kam prish qefin i njëjti me ka shtrënguar me thonje nëper duar ku ka pas raste edhe që më ka lënë shenja nëpër trup me këto veprime. Gjithashtu dua ta potencoi se (i dyshuari) edhe me ka kërkuar para herë pas herë i kam blerë cigare, ushqim rroba, ka pas raste edhe kur më ka kërkuar para qe te dal me shoqëri. Dmth sa herë që nuk i’ u kam bindur i njëjti me ka thënë e din ti se çka bëjë unë me video tua”.
Sipas deklaratës së viktimës në polici, ajo ka treguar se për shantazhet, dhunën, kërcënimet nuk i kishte treguar askujt, përveç një shoqeje.
“Kur kane ndodhur këto gjëra unë nuk i kam biseduar me askënd pasi që nuk doja ta merrte vesh askush. Vetëm se pas dy muajve që jemi ndarë me të, dmth në muajin shkurt te vitit 2024 unë shqetësimin tim i’a kam treguar vetëm një shoqes time”. Shogja ime ka qenë në dijeni vetëm që ai i posedon videot e mija dhe asgjë tjetër, askush nuk e ka ditë per presionin dhe kërcenimet qe mi ka bere unë keto nuk i’a kam treguar askujt deri tash.
Si i kishte kërkuar para i dyshuari viktimës, duke ia marrë rreth 700-800 euro përmes shantazhit?
“Prej që kemi qenë të lidhur vazhdimisht më ka kërkuar para dhe unë i kam jape me dëshire pasi qe i njëjti nuk kishte para, ndërsa pasi i ka poseduar videot e mija- dmth prej muajit prill te vitit 2023, me ka kërkuar para here pas here dhe kur nuk i’a jepsha me thoshte ti s’me jep para unë ja dërgoj babit tend videot, gjithsej në total ndoshta kane gene rreth 700-800 euro, sepse herë ia kam jep 10 euro, 20 euro herë here edhe 50 euro varësisht sa kisha”.
Viktima thotë se nuk e ka lajmëruar rastin e tij tek askush, duke menduar se do të ndryshojë.
Ajo poashtu tregon se ku i kishte ruajtur i dyshuari fotot intime të saj.
“Këto gjëra nuk i kam lajmëruar nga frika sepse nuk kam dashur që ta merr vesh askush dhe mendoja vazhdimisht se mos ndonjë dite do të ndryshon. Unë i kam pare këto video në telefonin e tij, i ka pas te ruajtura në rrjetin social Snapchat në folderin “my eyes”, ka deklaruar në Polici viktima.
Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në Prokurorinë Themelore në Gjakovë. Të pyetur nëse i dyshuari është i arrestuar apo është lënë i lirë, të njëjtit s’kanë pranuar të përgjigjen veçse kanë treguar se rasti po hetohet si vepër penale “Ngacmimi”.
“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka iniciuar rast për veprën penale “Ngacmimi”. Sipas udhëzimeve të Prokurorit të Shtetit, policia është duke ndërmarrë të gjitha veprimet lidhur me këtë rast”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë drejtuar Insajderit.
Rasti ishte hapur në Prokurori pasi Insajderi ka dërguar pyetje në Prokurori. Pasi që prokurori Anton Hasanaj e kishte mbyllur rastin.
As në raportin ditor të Policisë së Kosovës nuk ka pasur ndonjë njoftim për arrestimin e të dyshuarit. /Insajderi.org/