Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare, Rudi Vata mendon se shumica e lojtarëve të Kombëtares janë jashtë forme dhe nuk mund të presim mrekullira edhe nga emra të rëndësishëm si Elseid Hysaj.
Në një intervistë me Panorama-Sport, ish-ftubollisti i Celtic Glasgow thotë se shpresat duhet të mbahen tek grupi i futbollisteve që ka Shqipëria.
“Unë mendoj se për momentin këto janë mundësitë që kemi. Nuk është se kemi pasur ndonjë futbollist të jashtëzakonshëm dhe ka mbetur jashtë. De Biazi ka punuar me një grup që e njeh mirë, por duhet të kemi parasysh që dikush nuk e ka formën që ka pasur para disa muajsh”.
“Prania e Hysajt i ka shtuar vlerat ekipit, por një mbrojtës i djathtë nuk mund të jetë shtylla kurrizore e Kombëtares. Pra, nuk mund të presim magjira nga një mbrojtës krahu”, ka thënë Vata.
Vata ka luajtur me kombëtaren shqiptare në fund të viteve 90′ dhe fillim të viteve 2000, ndërsa ka pasur një karrierë të shkëlqyer në Evrope me gjigantin skocez, Celtic. /Insajderi.com