Ish-këshilltarja e kryeministrit Albin Kurti, Nora Kelmendi ia ka mësyrë garës për Drejtoreshë Ekzekutive në Agjencinë Kadastrale të Kosovës. Gazeta Insajderi, ka siguruar listën e ngushtë të aplikantëve që do të vazhdojnë me procedurat tjera, ku në mesin e gjashtë aplikatëve figuron emri i Nora Kelmendit. E pyetur nga gazeta nëse ka ndikuar afërsia e saj me qeverinë për t`u futur në këtë listë, ajo shkurt është përgjigjur “Jo”
Nora Kelmendi, ish- këshilltarja politike e Kryeministrit Albin Kurti, dhe ish-shefja e kabinetit të Arben Vitisë, e cila tash është asambliste në komunën e Prishtinës nga VV-ja, ka hyrë në listën e ngushtë për një pozitë të rëndësishme shtetërore, shkruan Gazeta Insajderi.
Ajo ia ka mësyrë garës për drejtoreshë të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, në kuadër të Ministrisë së Mjedisit.
Nora Kelmendi, është në listën e ngushtë të aplikantëve që do të vazhdojnë me procedurën e mëtejme, sipas njoftimit që ka bërë Ministria e Punëve të Brendshme.
MPB para dy ditësh, me 7 shtator, i njoftoi gjashtë kandidatët që do të vazhdojnë me procedurën e mëtejme, ku është i renditur edhe emri i Nora Kelmendit.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar Nora Kelmendin, për ta pyetur se a ka ndikuar afërsia e saj me qeverinë, që të futet në listën e ngushtë të kandidatëve për këtë pozitë:
“JO”, është përgjigjur shkurt ajo.
Ndërsa në pyetjen se cilat kritere i ka plotësuar në këtë konkur për të vazhduar me procedurën e mëtejme për pozitën e drejtoreshës në Agjencinë Kadastrale. E njëjta ka deklaruar që për këtë – të pyetet MBP-ja.
“Për këtë pyetje ju lus që ta kontaktoni Departamentin për Menaxhimin e Zyrtarëve Publik i cili vepron në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, tha Kelmendi.
Ministria e Punëve të Brendshme, nuk kanë treguar nëse afërsi e Kelmendit me qeverinë ka ndikuar që ajo të futet në listë, por thonë se i plotësoi kriteret e konkursit.
“Kandidatja Nora Kelmendi, i ka plotësuar të gjitha kriteret e konkursit për të hyrë në listë të shkurtër për pozitën Drejtor Ekzekutiv në Agjencinë Kadastrale të Kosovës”.
“Kriteret e konkursit i gjeni në ueb faqen unike të procedurave të konkurrimit në SIMBNJ”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.
Nora Kelmendi ishte emeruar nga kryeministri Albin Kurti, me 5 mars 2020 si Këshilltare Politike për koordinimin e të drejtave pronësore.
Por pas rënies së qeverisë Kurti I, Nora Kelmendi vazhdoi punë në një komunë të drejtuar nga Vetëvendosje.
Si kryetar i Prizrenit, në atëkohë Mytaher Haskuka, në gusht të viti 2020 e emëroi atë në postin e drejtoreshës komunale për Gjeodezi dhe Kadastër.
Gjatë mandatit të dytë të qeverisë Kurti, Nora Kelmendi ishte shefe e kabinetit të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia. E cila kishte dhënë doreheqje pasi Vitija i hyri garës për kryetar të Prishtinës, e ajo candidate për asamble nga kjo parti.
Aktualisht Kelmendi është asmabliste e Vetëvendosjes në Komunë e Prishtinës. /Gazeta Insajderi