Ish-kryeprokurori i Prokurorisë së Specializuar në Hagë që nisi aktakuzat për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po hetohet nën pretendimet për zhvatje nga autoritetet amerikane.
Të paktën kështu po thotë një figurë dikur tejet e rëndësishme për presidentin Trump, shkruan Gazeta Insajderi.
Michael Flynn, ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së gjatë Administratës Trump, ka pretenduar në maj se hetimet ndaj tij kanë filluar që prej muajsh.
“Prokurori Special Jack Smith është aktualisht nën hetime nga Zyra e Përgjegjësisë Profesionale në Zyrën e avokatëve të Shteteve të Bashkuara për pretendimet për zhvatje gjatë kohës që ai ishte në Hagë, në Evropë (kjo po ndodh që prej muajsh)
Teksa rastet hetimore të tij vazhdojnë të shkojnë drejt dështimit, Jack Smith do ta gjejë vetën në humnerë dhe do të shkelet nga mashtruesit përreth tij”, ka deklaruar ai.
Në dhjetor të 2023-ës Patrick Byrne, një biznesmen amerikan i afërt me republikanët, ka ngritur pretendime kinse Smith, ka kërkuar 100 milionë dollarë ryshfet për lirimin nga akuzat të një, siç pretendon ai, “kryetari të shtetit” për krime lufte në Hagë.
Ai e ka implikuar Smith për një “skemë korruptive” brenda Gjykatës Speciale.
Byrne pretendon se këto akuza janë mësuar nga “sinjalizuesit evropianë”.
Mediat amerikane po e interpretojnë si “fitore tjetër gjyqësore” e ish-presidentit amerikan vendimin e fundit në rastin e Trumpit, ku hetues kryesor është Smith.
Gjykatësja e qarkut amerikan, Aileen Cannon, mori vendim që çështja e dokumenteve të klasifikuara në rastin Trump të hetohen për një periudhë të pacaktuar. Smith dhe ekipi i tij kërkonin që ato të shqyrtoheshin para zgjedhjeve presidenciale. /Insajderi.org/