×
  • Lajme
  • Insajderi

    Ish-ministri i Energjisë, Ethem Çeku tregon zgjidhjen e vetme të problemit me furnizim me energji elektrike

    Insajderi
    15 August 2022 - 20:39
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kriza me energji elektrike ka prekur edhe Kosovën.  Çmimi i lartë i energjisë në berzat ndërkombëtare ka bërë  që  Kosova të ndërpres importin e energjisë dhe të furnizohet  nga prodhimi vendor.

    Pas njoftimit të KEDS për reduktime, është rikthyer furnizimi i rregullt. Ministria e Ekonomisë konfirmoi se është rikthyer furnizimi i rregullt me energji elektike, pas një marrëveshjeje të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë.

    Në mëngjesin e së hënës, KEDS-i njoftoi për reduktime të rrymës sipas orarit – gjashtë orë me të dhe dy orë pa të.

    Furnizimi, është thënë se po bëhet vetëm nga prodhimi vendor për shkak të çmimit të lartë të energjisë në berzat ndërkombëtare.

    Për ish-ministrin e Energjisë, Ethem Çeku, njëherësh ekspert në këtë fushë, zgjidhja e vetme e problemit në periudhë afat-shkurtër është investimi në termocentrale dhe aktivizimi i të gjitha blloqeve.

    Aktivizimi i të gjitha blloqeve, sipas tij, do të mundësonte prodhimin e mbi 1.000 megavatëve energji.

    “Të gjitha këto politika, të gjitha këto zhurma që po bëhen, diskutime, nuk mund të nxjerrin Kosovën nga ky kolaps energjetik, nëse nuk hyjmë thellë në studime të termocentraleve të ‘Kosovës A’ dhe ‘Kosovës B’. T’i mbajmë këto blloqe, pastaj të shohim”, thotë Çeku për REL.

    Më pas, shton ai, mund të shikohen alternativa tjera, siç janë ndërtimi i blloqeve te reja apo kyçja në sisteme të reja të energjetikës, siç është gazi.

    Ku është problemi me termocentralet?

    Korporata Energjetike e Kosovës operon me dy termocentrale në Obiliq, të cilat prodhojnë energjinë nga thëngjilli – Termocentrali “Kosova A” dhe “Kosova B”.

    Termocentrali “Kosova A” përbëhet nga pesë blloqe punuese. Blloku i parë ka filluar punën në vitin 1962.

    Por, ky termocentral gati që një dekadë operon me vetëm tri blloqe.

    Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se aktualisht në prodhim janë dy blloqe nga “Kosova A”, edhe një bllok i ”Kosovës B”.

    Ndërkohë, blloku tjetër i “Kosovës B” është në riparim dhe puna pritet të përfundojë më 26 gusht 2022.

    Kriza energjetike, e cila kërcënon Evropën, e rrjedhimisht edhe Kosovën, është pasojë e çmimeve të larta dhe jostaabile të energjisë në bursat ndërkombëtare.

    Ngritja e çmimeve, fillimisht nisi si pasojë e pandemisë së koronavirusit, ndërkaq hovin më të madh të ngritjes e mori pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, më 24 shkurt të këtij viti.

    Çmimi i lartë i energjisë në tregje ndërkombëtare ka shtyrë KEDS–in që më 9 gusht të kërkojë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE), rritje të tarifave të energjisë elektrike.

    Vendimi nuk është marrë ende.

    Një rritje e faturave të energjisë – për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 megavat – veçse është bërë në muajin shkurt të këtij viti./REL

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark