Ish-ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç është ndër kandidaturat kryesore për të pasuar Ban Ki Mun në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.
Ban Ki Mun përfundon mandatin në muajin janar të 2017 dhe procesi për zgjedhjen e pasaardhësit të tij ka nisur.
Megjithatë, diplomatët e OKB-së parashikojnë një rrugë të gjatë deri në zgjedhjet e sekretarit të ri për shkak të klimës së tensionuar mes fuqive të mëdha, që pritet të bllokojnë njëra tjetrën në këtë proces.
Jeremiç mori tetë vota “kurajimi” nga 15 vendet e Këshillit të Sigurimit, duke u renditur i dyti. Preferenca e parë është portugezi Antonio Guterres, që siguroi 11 vota “kurajimi” në Këshill.
“Treguam që kemi mbështetje të gjerë në Këshillin e Sigurimit dhe Serbia është gati për pozicionin më të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare”, do të deklaronte Jeremiç për televizionin shtetëror serb.
Por duket se diplomati serb nuk ka siguruar mbështetjen e aleates historike të Serbisë, Rusisë. Në Beograd shkruajnë se Jeremiç mori tri vota “mospajtimi” në Këshillin e Sigurimit dhe besohet se njëra prej tyre është e Moskës, që me gjasa do të vendosë edhe veton për të, njofton tch.
Në vendin e tretë u rendit kandidatura e diplomates argjentinase, Susana Malcorra.