
Avokati Arianit Koci ka bërë të ditur se Arbnor Spahiu, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, është ndaluar më 7 qershor nga autoritetet serbe në pikën kufitare Horgosh dhe është dërguar në qendrën e ndalimit në Kanjizë.
Sipas Kocit, Spahiu nuk është më pjesë e policisë prej tri vitesh dhe aktualisht jeton në Gjermani. Megjithatë, ndalimi i tij është i lidhur me hetimet për rastin “Banjska”, shkruan Insajderi.
Avokati paralajmëron për rritje të rasteve të ndalimeve të qytetarëve të Kosovës në Serbi, sidomos ndaj atyre që kanë shërbyer në institucionet e sigurisë. Ai përmend edhe një tjetër ish-polic kosovar, i cili më herët kishte pranuar fajësinë për spiunazh në favor të shërbimeve serbe.
Koci ka kërkuar reagim urgjent nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe institucionet përkatëse, duke theksuar se asnjë qytetar nuk duhet të përballet vetëm me padrejtësi të tilla.