Albert Berisha, i dënuar me 3 vjet e gjysmë burg për “Pjesëmarrje në luftërat në Siri”, ka arritur që të hapë Institut për Siguri dhe Integrim me lejen e Qeverisë së Kosovës.
Të gjithë e kujtojnë si ish-luftëtarin e ISIS-it i cili pas kthimit në Kosovë doli në medie për të thënë se është penduar që kishte marrë rrugën drejt “Tokës së Shamit”.
Më 6 tetor 2013, Albert Berisha, atëherë 27-vjeçar, ishte nisur t’i bashkohet grupit terrorist “Al Nusra”, por pasi u kthye në Kosovë ai deklaroi se është bërë pishman. I njëjti në shkrimin e tij, të botuar në vitin 2013 (“Heronjtë ‘e Spanjës’ dhe ‘tradhtarët’ e Sirisë”) në gazetën “Besimtari” bën thirrje për xhihad dhe për krenarinë e të qenit shqiptar muxhahedin, shkruan Zëri.
“E njëjtë është situata edhe me shqiptarët që luftojnë në Siri, ata kanë një ideal, kanë një qëllim, kanë një obligim, kanë një rrugë të cilën e trasojnë me krenari, kanë një xhihad për të bërë që i pëlqeu apo s’i pëlqeu Halilit apo dikujt tjetër, kjo është duke ndodhur. Shqiptarët janë muxhahida krenarë që bëjnë xhihadin kur është e nevojshme”, shkruan në Berisha.