Ish polici i Kosovës, Arbnor Spahiu dyshohet nga Serbia për “vrasje të rëndë” në Banjskë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Ish polici i Kosovës, Arbnor Spahiu dyshohet nga Serbia për “vrasje të rëndë” në Banjskë

    Insajderi
    10 June 2025 - 15:40
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, të cilit iu shqiptua masa prej një muaji paraburgim në Serbi, dyshohet për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”, konfirmoi Gjykata e Lartë në Suboticë për Radion Evropa e Lirë.

    Spahiu dyshohet se ka kryer këtë vepër në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – ku një grup i serbëve të armatosur ka sulmuar policinë e Kosovës në shtator të vitit 2023, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

    Në përleshjet me armë që kanë pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

    Me ligjin në Serbi, “vrasja e rëndë” dënohet me një dënim minimal prej dhjetë vjetësh burg ose me burgim të përjetshëm.

    Dyshimet e autoriteteve serbe për këtë vepër i konfirmoi për Radion Evropa e Lirë edhe avokati i Spahiut, Arianit Koci, i cili tha se ai aktualisht ndodhet në Suboticë dhe se “është mirë”.

    Por, duke folur një ditë më herët për gazetarët në Prishtinë, Koci ka thënë se klienti i tij nuk është pjesë e Policisë së Kosovës tash e tre vjet dhe se ai jeton në Gjermani.

    Ai ka thënë se ka paraqitur disa prova që, sipas tij, do ta dëshmojnë pafajësinë e Spahiut.

    Deri në publikimin e këtij lajmi, Prokuroria e Lartë Publike në Suboticë nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me këtë rast dhe me pretendimet e avokatit.

    As Policia e Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it se kur është larguar Spahiu nga shërbimi.

    Spahiu është ndaluar më 7 qershor nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, gjatë kthimit të tij nga Austria me autobus.

    Në vazhdën e arrestimeve të kohëpaskohshme të shtetasve të Kosovës, autoritetet bëjnë vazhdimisht thirrje që të shmanget udhëtimi përmes Serbisë.

    Për sulmin në Banjskë – ku, sipas autoriteteve serbe, dyshohet edhe përfshirja e Spahiut – Kosova ka akuzuar Serbinë, por kjo e fundit ka mohuar çdo përgjegjësi.

    Përgjegjësinë për të e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe në Kosovë, i cili besohet se ndodhet në Serbi.

    Të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar gjykimi i tre prej 45 të akuzuarve për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale në rastin Banjska.

    Hetime për këtë sulm është duke kryer edhe Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Beograd.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark