Bernie Sanders deklaroi se do të hedhë votën e tij për rivalen Hillary Clintonin në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Që të dy politikanët luftuan fort për nominimin demokrat, të cilin ishte pikërisht Clintoni që arriti ta siguronte këtë muaj.
Senatori i Vermontit, që veten e përshkruan si socialist, tha për rrjetin televiziv “MSNBC” se do të bëjë çdo gjë që ka në duar për të mposhtur të nominuarin republikan ende të pakurorëzuar zyrtarisht të kampit tjetër, Donald Trump, shkruan TCH.
Edhe një herë, megjithatë, Sanders nuk e pohoi qartë fundin e fushatës së vet, të cilin vendosi me këmbëngulje ta vazhdonte edhe atëherë kur shifrat i dolën kundër. “Detyra ime tani – u shpreh Sanders, – është të luftojë për platformën më të fortë të mundshme në konventën e partisë në muajin korrik, ku të përfshihet dhe një pagë minimale më e lartë”.
Edhe pse ish-Sekretarja e Shtetit ka grumbulluar një numër shumë më të madh delegatësh sesa ai, Sanders nuk ia jepte mbështetjen e tij të plotë. Pavarësisht faktit që garën e nominimit e ka të humbur, senatori 74-vjeçar mund të ndihet fitues në një drejtim: ndikimi i tij është rritur.
Kur hodhi kandidaturën vitin që shkoi, Sanders konsiderohej një çudi politike: pakkush mendonte atëherë se senatori i pavarur nga Vermonti i vogël do të arrinte të bënte përpara në garën e fortë brenda kampit demokrat, por ai mundi të shfaqej si një forcë e rëndësishme politike në fushatën e zgjedhjeve paraprake me fitoren e siguruar në 18 shtete. /Insajderi.com