Një prej ish-zyrtarëve të lartë të CIA-s ka sulmuar këtë të premte Donald Trumpin, duke e cilësuar atë si një rrezik për sigurinë kombëtare, duke thënë se presidenti rus Vladimir Putin e ka kthyer kandidatin republikan për Shtëpinë e Bardhë në një “agjent të pavullnetshëm” të Rusisë.
Putin është ndier i kënaqur nga Trump për shkak se ai mbështet disa pozicione favorizuese ndaj Rusisë, tha Michael Morell, një ish-oficer i CIA-s dhe ish-zv.drejtor i agjencisë, gjatë një opinioni të publikuar në “New York Times”.
“Në fushën e kundërzbulimit, ne do të thonim pa frikë se Putin e ka rekrutuar Trumpin si një agjent të pavullnetshëm të Federatës Ruse”, tha Morell në artikullin që më së shumti lavdëronte rivalen e Trumpit në zgjedhjet e 8 nëntorit, demokraten Hillary Clinton, njofton Top-Channel, transmeton Insajderi.
Morell nuk dha prova se ku e bazonte këtë vlerësim të tijin, por tha se Putin ka përdorur aftësitë e tij si një ish-oficer kundërzbulimi, për të evidentuar dhe shfrytëzuar dobësitë e një individi.
“Kjo është qartësisht ajo çfarë bëri ai gjatë primareve. Putin luajti me dobësitë e Trumpit duke e komplimentuar atë. Ndërsa Trump iu kundërpërgjigj ekzaktësisht ashtu siç e kishte përllogaritur Putini”, shkruan Morell.
Drejtues të fushatës së Trumpit kanë hedhur poshtë kritikat e Morell, duke e lidhur ish-oficerin e CIA-s me përgjigjen publike të administratës “Obama”, pas sulmeve të 12 shtatorit në Bengazi të Libisë.