Ende pa e dorëzuar Kosova aplikimin për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian, kryediplomati serb, Ivica Daçiq shprehej me siguri të plotë se përveç pesë shteteve anëtare të BE’së që nuk e njohin Kosovën, edhe një shtet i gjashtë nuk do ta miratojë këtë aplikim, shkruan Insajderi.
Hungaria, sipas tij, do ta refuzonte kërkesën e Kosovës për t’iu bashkuar vendeve aspiruese për BE. Daçiq pati deklaruar në dhjetor se Peter Szijjarto, Ministër i Jashtëm i Hungarisë, i kishte premtuar personalisht se Hungaria do të votojë kundër.
Ndërsa vetëm sot, gjatë një konference të përbashkët për shtyp të dy kryediplomatëve serbë dhe hungarez, Szijjarto i konfirmoi deklarimet e Daçiq.
“Qëndrimi ynë është se do të rrezikonte arritjen e një kompromisi nëse formacione të caktuara evropiane do ta pranonin Kosovën para arritjes së marrëveshjes. Dhe për këtë arsye, Hungaria do të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në organet evropiane”, tha Szijarto këtë të marte.
Aplikimi i Kosovës në BE ishte më i ndërlikuari në rajon dhe erdhi pasi Bosnje-Hercegovina morri zyrtarisht statusin e vendit kandidat.
Madje, gazeta prestigjioze franceze “Le Monde” ia pati kushtuar një artikull asaj ku shkruante se është edhe “ligjërisht e pamundshme që Këshilli i BE’së ta regjistrojë aplikacionin e Kosovës dhe t’ia nis Komisionit Evropian, e që është hapi i parë ligjor në procesimin e një aplikacioni për anëtarësim”.
“Anëtarësimi i Kosovës sigurisht që do të studiohet, por në të vërtetë nuk është prioritet”, i kishte thënë një diplomat evropian me bazë në Bruksel “Le Monde”-s.
Prej pesë shteteve mosnjohëse, Spanja ishte deklaruar së pari kundër këtij aplikimi. Sekretari i Shtetit të Spanjës për BE, Pascual Navarro, më 20 dhjetor tha se Spanja nuk e mbështet atë.
“Spanja nuk e njeh Kosovën; rrjedhimisht do të votojë kundër çfarëdo vendimi procedural ose dhënës të statusit të vendit kandidat”, pati thënë Navarro.
Për dorëzimin e aplikimit të Kosovës në BE, përfaqësuesi spanjoll tha se “gjëja normale do të ishte të kërkohet opinioni i Komisionit Evropian”.
“[…] E më pastaj të debatohet kjo çështje në Këshillin për Punë të Përgjithshme, dhe përfundimisht të vendoset nga liderët evropianë në Këshillin e Evropës”, ka thënë ai.
Navarrno u shpreh i bindur se Spanja nuk ka ndryshuar pozicion ndaj pavarësisë së Kosovës dhe se “nuk mbeshtim kandidaturën në rrethanat aktuale”.
Aplikimin e Kosovës në BE, Kryeministri Albin Kurti e pati shënjuar për ditë historike për popullin e Kosovës, ndonëse s’kishte marrë garanci nga pesë shtetet mosnjohëse se një aplikim i tillë do të miratohej./Insajderi/